Guri, i cili është duke u vendosur përreth Galerisë së Arteve është Porfid nga Trento e Italisë pasi është gurë vullkanik dhe një ndër gurët me të fortë dhe të qëndrueshëm i kushteve klimatike në vendin tonë
Urim HASIPI
Tetovë, 5 prill – Këtyre ditëve ka filluar rregullimi i oborrit të Galerisë së Arteve në Tetovë. Ndonëse një hapësirë e vogël, megjithatë e njëjta ka qenë në gjendje të mjerueshme, sidomos në aspektin e pamjes sepse ka qenë me çimento, por edhe e dëmtuar, sidomos në pjesën e pasme. Në të ardhmen, kjo pjesë pritet që të jetë edhe hyrja zyrtare për në Galerinë e Arteve në Tetovë, ndërsa rregullimi me gurë është pjesë e një investimi të Ministrisë së Kulturës dhe më se e nevojshëm për këtë institucion të rrallë të kulturës në Tetovë. Në këtë periudhë është duke u punuar me vendosjen e gurëve në formë kalldrëme, të cilët do t`i japin pamje tjetër nga jashtë institucionit, ku në vit mbahen me qindra aktivitete kulturore, sidomos ekspozita. “Ideja për tu bërë një intervenim i këtillë ishte të rikthehej pamja origjinale e këtij objekti karakteristik që po e bën të veçantë qytetin tonë. Ditën e dytë të punimeve, Galeria u vizitua nga vetë drejtori i Qendrës për Konservim Memet Selmani, për të ndjekur rrjedhën e punës. Punimet do të vazhdojnë gjatë periudhës në vazhdim, duke shpresuar të përfundojnë suksesshëm”, thotë Reshat Pajaziti, ushtrues detyre drejtor i Galerisë së Arteve Pamore në Tetovë.
Punimet jashtë oborrit të Galerisë pritet që t`i kthejnë pamjen këtij institucioni, ndërsa pas disa restaurimeve që janë bërë ndër vite, problem mbetet ngrohja qendrore. “Pasi që bëhet fjalë për një objekt të rëndësisë së veçantë, ishte kërkesë e institucionit tonë që ti rikthejmë pamjen që e meriton ky institucion. Ka qenë përreth objektit me çimento, që nuk përkon me rëndësinë që ka ky institucion për sa i takon aspektit historik. Punimet janë duke u zhvilluar me dinamikën e paraparë dhe është një investim i cili ka qenë më se i nevojshëm. Kohë më parë është bërë restaurimi i pullazit, janë vendosur ndriçimet brenda dhe jashtë, kurse problem që shpresojmë të parashihet në investimet në të ardhmen, të jetë edhe ngrohja qendrore me të cilën kemi problem”, tha Behar Ferati, këshilltar dhe kurator në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë.
Sipas tij, guri i cili është duke u vendosur përreth Galerisë së Arteve është Porfid nga Trento e Italisë pasi është gurë vullkanik dhe një ndër gurët me të fortë dhe të qëndrueshëm të kushteve klimatike në vendin tonë. Investimi për këtë rregullim që është duke u bërë, kap shifrën prej rreth 2 milionë denarë. Para tre viteve, është investuar edhe në çatinë e objektit ndërsa është vendosur edhe drenazh i ri, që të mos kemi probleme me lagështinë në këtë objekt. Krahas investimeve tjera, intervenime janë bërë edhe në murin mbajtës kryesorë. Për këtë vit, nga ana e Ministrisë së Kulturës janë ndarë më shumë mjete dhe buxheti bazë për këtë institucion është 4 milionë e 400 mijë denarë. Në vendin ku është e vendosur Galeria e Arteve, më herët ka qenë Hamami i Tetovës, i cili është ndërtuar në shek e 16 nga osmanlinjtë sipas arkitekturës orientale, dhe është një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në Tetovë. (koha.mk)