Gjatë kësaj kohe, në këtë objekt, krahas lyerjes së jashtme dhe të brendshme, po ashtu do të përmirësohen edhe hapësirat tjera që për zjarrfikësit është e mirëseardhur
Urim HASIPI
Tetovë, 26 prill – Ndonëse shërbejnë për një popullatë me mbi 150 mijë banorë, zjarrfikësit e Tetovës kanë patur një objekt të vjetër ku kanë qëndruar dhe kanë kryer obligimet e tyre të përditshme. I njëjti, që nga ndërtimi pothuajse asnjëherë nuk ka patur ndonjë rikonstruim të mirëfilltë edhe krahas kërkesave të njëpasnjëshme që të krijohen kushte më të mira për këta punëtorë që shpesh herë janë në ballë të zjarrit. Udhëheqësi i Njësisë së zjarrfikësve në Tetovës, Uka Aliti, thekson se dekada me radhe në këtë objekt nuk është bërë asgjë dhe pas shumë kërkesave është arritur që më në fund të kenë një objekt të rikonstruuar. “Mund të them se 30 vite në këtë objekt nuk është vendosur dorë. Për të patur intervenime të suksesshme dhe punë efikase, duhet që edhe punëtorët të kenë kushte më të mira. Është një projekt i kamotshëm sepse në parim gjithmonë duhet që të kujdesemi që punëtorët, ku qëndrojnë të jenë të sigurt dhe të mbrojtur, pra që të jenë të motivuar edhe për punën që e bëjnë” deklaroi Uka Aliti, kryeshef i Njësisë territoriale kundër zjarrit në Tetovë.
Gjatë kësaj kohe, në këtë objekt, krahas lyerjes së jashtme dhe të brendshme, po ashtu do të përmirësohen edhe hapësirat tjera që për zjarrfikësit është e mirëseardhur. “Kësisoj, lirisht mund të them se në këtë objekt për shumë vite nuk është ndërruar asnjë gozhdë, prandaj pas shumë kërkesave arritëm që të kemi një objekt ku do të ndërrohen dyert, dritaret, dyshemetë, banjot, lyerja e brendshme dhe e jashtme e tërë objektit. Pra kemi të bëjmë me një rikonstruim të tërësishëm apo gjeneral të këtij objekti”, thotë Aliti.
Gjithsej për rregullimin dhe rikonstruimin e objektit të Njësisë territoriale kundër zjarrit në Tetovë janë ndarë mbi 50 mijë euro. Punët pritet që të përfundojnë brenda dy muajve dhe zjarrfikësit e Tetovës do të kenë një objekt dinjitoz, me ç`rast edhe do të plotësohet një nga kërkesat e shumta të tyre në drejtim të përmirësimit të kushteve për punë më efikase. Krahas objektit, zjarrfikësit kanë kërkuar edhe ngritjen e pagës së tyre për çka edhe publikisht kanë protestuar, por deri më tani ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Përveç pjesëmarrjes në shuarjen e zjarrit, Njësia e zjarrfikësve të Tetovës merr pjesë edhe nëpër aksidente të ndryshme të trafikut por edhe gjatë fatkeqësive të ndryshme elementare që kanë goditur Tetovën dhe rrethinën ndër vite, siç ishte rasti me vërshimet gjatë viteve 2015 dhe 2017. Prandaj, edhe në ndërkohë është shtruar kërkesa që kjo Njësi të ketë pajisje më të shumta, me të cilat do të intervenojnë gjatë këtyre fatkeqësive elementare. (koha.mk)