Përderisa autoritetet përgjegjëse vendosën ulëse dhe kanë ndriçuar shëtitoren, qytetarët kërkojnë ndërhyrje edhe në pjesën tek burimet e ujit ku nuk ka infrastrukturë të rregulluar. Aktivistët thonë se rruga e cila çon deri në Banjën e Tetovës në më shumë vende është e rrezikshme
Urim HASIPI
Tetovë, 19 shkurt – Pas ndërtimit të murit mbajtës në rrugën e Banjës së qytetit, vazhdohet me punimet infrastrukturore për sa i takon vazhdimit të rrugës në gjatësi prej 1 kilometrave dhe gjerësi 6 metra. Me këtë investim konkret rrumbullaksohen edhe investimet në këtë rrugë, si një nga më të frekuentuarat nga qytetarët për sa i takon edhe pjesës së shëtitores. Mos rregullimi si duhet i infrastrukturës në këtë pjesë të Tetovës disa herë është kritikuar edhe nga aktivistët e shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar ndërhyrje më të mirë. Aktivistët thonë se rruga e cila çon deri në Banjën e Tetovës në më tepër vende është e rrezikshme. Erozionet zgjatin përgjatë gjithë rrugës, kurse të dëmtuara janë edhe mbrojtëset anësore. “Rruga ka filluar të rikonstruohet para 4 vitesh. Në atë kohë ekspertët paralajmëruan se rekonstruimi realizohej në formë joprofesionale, sepse rruga zgjerohej përgjatë shpatieve të pjerrëta të Malit Sharr, të cilat rrënoheshin, dhe prerja e drunjve kontribuonte për krijimin e një tereni jo stabil”, thuhej në një komunikatë të lëshuar nga aktivistët tetovarë.
E tërë situata në terren nuk ka ndikuar që në këtë vend qytetarët të dalin për rekreacion. Ndërkaq, edhe përskaj anomalive të shumta në infrastrukturën e këtij vendi të rrallë që e ka falur vet natyra dhe që nuk është prekur nga dora e njeriut për të qenë atraktive, shumë qytetarët e frekuentojnë për rekreacion dhe për të mbushur ujë i cili ka edhe veti shëruese. Vizitorë të shumtë vijnë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë për të mbushur ujë, ndërsa nga enti për mbrojtje shëndetësore shprehen se sipas analizave të fundit, uji mineral në këtë pjesë mund të përdoret. Përderisa autoritetet përgjegjëse vendosën ulëse dhe kanë ndriçuar shëtitoren, qytetarët kërkojnë ndërhyrje edhe në pjesën tek burimet e ujit ku nuk ka infrastrukturë të rregulluar. Problem në vete në këtë vend, i cili çdo ditë vizitohet nga qindra qytetarë, është edhe mosurbanizimi në mënyrë ligjore, që do shndërronte Banjat e Tetovës në një pikë atraktive mjaft tërheqëse për turistë. Banjat e Tetovës, që është larg jo më shumë se 5 kilometra nga qendra e Tetovës, kohëve të fundit ka filluar të ringjallet me ndërtimin e disa lokaleve afariste. Edhe pse më herët ishte premtuar se ky vend do të rregullohet dhe urbanizohet, megjithatë në këtë drejtim nuk është bërë asgjë. Vizitorët e këtij vendi theksojnë se nevojitet që shteti por qoftë edhe Komuna që të investojnë në infrastrukturën e rrugës që çon për në këtë vend të bukur malor. “Këtu duhet të rregullohet kjo pjesë ku futen në ujë qytetarët, pastërtia mungon, të ketë ndalesë për larje në vendet ku uji nuk është i pastër. Mendoj se shoqëria duhet të ketë më shumë interesim për këtë ambient, pasi që është një ambient shumë i mirë, sidomos për qytetarët e Tetovës dhe rrethinës, dhe mendoj se duhet të investohet këtu. Duhet që rruga të rregullohet dhe zgjerohet, të bëhen trotuare për këmbësorë dhe infrastrukturë tjetër e nevojshme”, thotë Xhelali, një vizitor i shpeshtë i Banjave të Tetovës.
Çdo mëngjes dhe në orët e vona të pasdites, për në Banjën e Tetovës mund të vëresh një numër të madh të qytetarëve, të cilët ngjiten për në Banjat e qytetit. Këta njerëz të moshave të ndryshme vizitojnë këtë vend duke iu shmangur jetës dinamike dhe plot strese brenda në qytet, sidomos gjatë këtyre ditëve të nxehta. (koha.mk)