Kampionati gjerman i futbollit do të ngrejë siparin këtë të premte, me sfidën mes Bayernit të Mynihut, kampion në fuqi dhe Hoffenhaimit. Gjithsesi ajo që ka tërhequr vëmendjen në shtypin sportiv gjerman, ka qenë një intervistë e trajnerit të Volfsburgut, Bruno Labadia, që ka treguar për implementimin e një rregulloreje të re brenda skuadrës. “Gjobat janë ndëshkuese, por mendoj se ka forma të tjera, që japin më mirë efektin. Për shembull, nëse dikush gabon, mund të ndëshkohet me larjen e pjatave pas drekës me skuadrën, ose shpërndarjen e pajisjeve të stërvitjes, te shokët e ekipit. Të bësh këto gjëra nuk është aspak argëtuese dhe mendoj se lojtarët preferojnë më shumë gjobën”, deklaroi Labadia. Trajneri tha në intervistë se bashkë me lojtarët kanë krijuar një rregullore të brendshme, që përcakton kuadrin e lojës dhe ku vetë futbollistët do të kujdesen që gjithçka të zbatohet me rigorozitet.