Rregullat e udhëtimeve në Evropë

63

Ndërkohë që vera po afron, Bashkimi Evropian po përpiqet të nxjerrë rregulla të unifikuara për qytetarët e BE-së, të cilët udhëtojnë brenda bllokut dhe për qytetarët e vendeve të treta që duan të vizitojnë miq e të afërm në BE, ose të bëjnë pushime në Alpe apo Mesdhe
Kur bëhet fjalë për pasaportën e vaksinës të vet BE-së, e quajtur “certifikata e gjelbër digjitale”, procedurat po vazhdojnë, edhe pse ngadalë. Pasaporta u propozua këtë pranverë nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti dhe Këshilli Evropian, që përfaqësojnë të 27 vendet anëtare të BE-së, u dakorduan për mandatet e tyre përkatëse negociuese. Tri institucionet tani duhet të hartojnë tekstin përfundimtar legjislativ. Takimi i parë u zhvillua më 3 maj, ndërsa takime të tjera pritet të mbahen në ditët dhe javët e ardhshme. Ideja për të hapur BE-në (minus Irlandën, por plus Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën) për qytetarët e vendeve të treta, është më e freskët. Propozimi për lehtësimin e kufizimeve u paraqit fillimisht më 3 maj.
Ambasadorët e vendeve anëtare pritet ta diskutojnë këtë javë. Komisioni Evropian sugjeroi mirëpritjen e njerëzve që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të ndonjërës prej vaksinave që ka miratuar BE-ja kundër koronavirusit: AstraZeneca, BioNTech/Pfizer, Johnson&Johnson dhe Moderna. Sipas propozimit, doza e dytë duhet të merret së paku 14 ditë përpara arritjes. Komisioni propozoi edhe relaksimin e metodologjisë së BE-së për llogaritjen e vendeve “të sigurta”. Aktualisht, të sigurta konsiderohen ato vende që për 14 ditë raportojnë 25 raste me koronavirus në 100 mijë banorë, ndërsa propozohet që shifrat prej 25 të rritet në 100. Aktualisht, mesatarja e bllokut është 420 raste dhe vetëm gjashtë vende kualifikohen nën regjimin e rreptë: Australia, Zelanda e Re, Ruanda, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajlanda.
CILAT JANË PIKAT E DISKUTUESHME?
Për certifikatat e vaksinës, ideja është të krijohet një rregullore e përbashkët në të gjithë Bashkimin Evropian, sipas së cilës sigurohet liria e udhëtimit brenda zonës Shengen. Por, ka ende disa çështje të mëdha të pazgjidhura. Parlamenti, për shembull, dëshiron teste falas për COVID për ata që nuk janë vaksinuar ose nuk duan të vaksinohen – gjë të cilën shtetet anëtare nuk janë të etura ta bëjnë, për shkak të mungesave të fondeve si pasojë e pandemisë. Por, çështja më e madhe kontestuese mund të rezultojë nëse eurodeputetët këmbëngulin që certifikata të nënkuptojë se nuk ka më kufizime shtesë, të tilla si testime shtesë ose karantina të mundshme nga vendet anëtare.
Qeveritë e shumë vendeve anëtare të BE-së, nga frika e varianteve të reja të koronavirusit, besojnë se duhet të varet nga to që të vendosin nëse do ta përdorin certifikatën për të hequr kufizimet ose jo. Përplasja mund të ndodhë sepse shëndeti është një kompetencë ekskluzive e shteteve anëtare individuale, ndërsa liria e lëvizjes është kompetencë e unionit. Pasaporta, që lëshohet nga autoritetet në Danimarkë për personat e vaksinuar kundër koronavirusit. Për hapjen e kufijve të jashtëm të BE-së, shumë varet nga ajo se sa turistë i duan vendet anëtare – dhe nga ku. Disa mund të insistojnë në masa reciprociteti, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, dhe mund të ketë kritere të tjera, si testimet dhe nivelet e pozitivitetit.
Shtetet anëtare, ashtu si në rastin e certifikatave të vaksinave, mund të rezervojnë të drejtën për të vendosur karantina ose testime shtesë. Për të kufizuar rrezikun e importimit të varianteve të reja të koronavirusit, Komisioni Evropian propozoi gjithashtu të ashtuquajturën “frenë urgjente”, që do të mundësonte vendosjen e kufizimeve të shpejta të udhëtimit për vendet ku situata shëndetësore përkeqësohet ndjeshëm.
CILI ËSHTË AFATI KOHOR?
Ideja është që të dyja propozimet të jenë plotësisht funksionale deri në fund të qershorit. Puna teknike për certifikatat tashmë është duke u zhvilluar. Pavarësisht nëse ka ose jo bllokime legjislative midis Parlamentit dhe Këshillit, sistemi është vendosur të jetë teknikisht gati deri më 1 qershor. Certifikatat, që mund të përdoren edhe në smartfonë, edhe në versionin letër, do të përfshijnë tri mënyra për të dëshmuar se jeni i lirë për të udhëtuar në zonën Shengen: vaksinimin, testin negativ, ose prova të shërimit nga koronavirusi – plus të dhënat e domosdoshme, si: emri, data e lindjes, vendi i lëshimit dhe lloji i vaksinës nëse jeni vaksinuar. Ideja është që informacioni nga proceset e vaksinimit në vendet e treta, mund të ngarkohet në sistemin e BE-së – diçka që, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk është teknikisht e vështirë, edhe pse çështjet e privatësisë mund ta komplikojnë.
PO FËMIJËT?
Fëmijët në BE nuk janë vaksinuar ende, kështu që për certifikatat e vaksinës, prindërit thjesht duhet të përdorin një test negativ PCR për të vegjlit e tyre. E njëjta gjë vlen për të miturit jo të vaksinuar jashtë BE-së. Por, në këtë rast, vendet anëtare ndoshta do të kërkojnë testime shtesë pas mbërritjes.