Ishte korriku i vitit 1998, kur nëna e dy fëmijëve nga fshati Pavlan, komuna e Pejës është dhunuar barbarisht nga katër persona, në sy të burrit dhe dy fëmijëve të saj.
Edhe pse kanë kaluar pothuajse 19 vite prej përjetimit të dhunës, kjo grua tha se deri më sot askush nga zyrtarët shtetërorë s’janë interesuar për shëndetin apo gjendjen emocionale të saj.
Ajo në një intervistë dhënë në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini tregoi momentin tragjik të jetës së saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Nga data 5 shkurt 2018 ka filluar aplikimi për njohjen dhe verifikim e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe i gjithë ky proces pritet të zgjatë pesë vite.
Megjithëse ende nuk kanë shifra të sakta të viktimave të dhunimit gjatë luftës, mirëpo që nga paslufta është përmendur shifra mbi 13 mijë personash të dhunuar.
Ndryshe, sot kur edhe shënohet Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikte në Prishtinë bëhet lansimi i kampanjës “Bëhu zëri im”.
Lansimi i kampanjës “Bëhu zëri im”, nis me marshin qytetar nga Sheshi “Skënderbeu” dhe vazhdon deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”.
Kjo kampanjë është përkrahje për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.