Në botën moderne, sipas disa mendimtarëve, ka pesë mëkate të rënda që bëhen e s’falen: “Pasurim pa mund e djersë, lumturi në kurriz të të përvuajturve, tregti pa moral, shkencë pa humanizëm dhe politikë pa parime!”. Ne, a i kemi që të gjitha këto, jemi a s’jemi “mëkatarë”!?
Nga Ismail ARSLLANI
Më ka ndodhur, kohëve të fundit, të kem sërish një obsesion tepër të ngjeshur (deja vu), ndaj nocionit autodidakt. Sa e sa herë po më rrotullohet në rradake kjo temë, të cilën e kam rrahur shumë moti, si gazetar praktikant. Njeriu autodidakt ka qenë dikur person i vlerësuar dhe i respektuar në mesin e popullatës, ka qenë njeri i etur për dijeni dhe i armatosur si një diplomant, ndonëse ka mësuar shkrim e këndim dhe është shkolluar vetë, pa mësues, por është bërë specialist në një fushë të caktuar, pa përjashtuar mjeshtërinë mbi makinerinë, mjekësinë, farmacinë, madje edhe filozofinë. Ky farë autodidakti nuk ka pasur shestime karrieriste, për të futur hundë në ndonjë punë të fëlliqur prej kontrabandisti, larje parash, veprash kriminale dhe korruptuese, aq më keq të futet në politikë! Këta njerëz bënin çudira në jetë e punë, hynin në librin e Guinisit, me dijen dhe mjetet e veta financiare.
Kjo temë që mora së rrahuri, m’i lidhi penjtë me një ndodhi paksa anekdotike, nga një kohë e perënduar, që kisha dëgjuar në oda burrash. “Dikur, në një nahije, kishte kërkuar Pashai që njerëzit të zgjidhnin kryetarin e ri të Nahijes. Mblidhen kryefamiljarët e disa fshatrave, por askush nuk pranon të marrë bajrakun për atë nahije, nga frika se do kenë punë me pashain. Dhe, lusin një djalë, çoban i paguar i nahijes, që ai të bëhet kryetar. Çobani pranon me një kusht: t’i lejohet që njerëzve që do vdesin në atë nahije t’u thotë diçka në vesh, para se ta varrosnin. Njerëzit pranuan këtë kusht. Kalon një kohë jo shumë e gjatë, njerëzit bëhen kureshtarë se çka u thotë çobani te veshi i të vdekurve! Andaj, një ditë e lusin çobanin që t’u tregojë se çka u thotë të vdekurve në vesh!? Çobani vendosi t’u tregojë: “U them që t’i bëjnë të fala filan-filanit në atë dynja, atyre burrave të mençur që kanë vdekur, që kryetar i nahijes së tyre është bërë një çoban…!”
Ta lëmë këtë e t’i kthehemi fjalës së këputur më lart. Ku vajtën autodidaktët? Me kalimin e kohës, ngritën shtat shkollat dhe universitetet, mësynë studentët në sportelet e tyre, me kritere formale, për t’i flakur “autodidaktët” e rinj, të cilët u hodhën në margjina dhe u bënë “relikte” të një kohe të tretur të konservatorizmit dhe prapambetjes. Natyrisht që ne mendonim se nuk na duhen autodidaktët, që kishin dijeni të paverifikuar, ndonëse ishin të moralshëm e të palodhur, por na duheshin diplomantët që do e nxitnin zhvillimin tonë, si gjithë bota e mbetur.
Diploma, por, pa një vend pune, s’kishte kurrfarë vlefte. Lufta për diplomë e për vend pune u bë një betejë e pa kompromis jetese. Në këtë luftë kishte edhe “viktima”, të diplomuar që mbetën në va e pa va. Ata që dinin të blinin provime e diploma, kishin jarani për të blerë edhe vende pune. Kësisoj u bë një mish-mash në jetën tonë publike, ku u gërshetuan edhe mizoritë e tjera. Mbi të gjitha, “çelësi i të mirave të kësaj bote”, shumë shpejt u bë libreza partiake. Sapo u vërejt kjo gjë, të rinjtë me diploma i dhanë yrysh dyerve të partisë. Kësisoj diploma dhe dituria u tretën në matrapazllëqe dhe pazarllëqe votash. Kriteret për hyrje në punë, emërimet në funksione të eshalonëve të ndryshme, deri në ministra, shikuar nga distanca, ishin komprometuese dhe diletante. Në vend se të ishte “njeriu i vërtetë – në vendin e vërtetë!”, u vendosën “figura” me penjtë dirigjues, sipas kutit: “Mjeku në ministrinë e arsimit, matematikani në ministrinë e shëndetësisë!”. Si duket, njerëzit që kujdeseshin për kuadrot, ishin “të dehur” nga fama e fituar lehtë e shpejt, privilegjet dhe rehatia, ndaj dhe s’çanin kokë kush në cilin vend pune do të vijë, mjaftonte të ishte nga partia.
Nuk e di nëse kemi një analogji të përshtatshme, për të bërë një prerje diagonale, për të pasqyruar gjendjen e tashme në kampin shqiptar, me qëllim që të demaskojmë këtë heshtje absurde ndaj dukurive negative që ndodhin para syve tanë, por edhe mimikrinë e kuadrove drejtuese, që s’bëzajnë në asnjë provokim e padrejtësi. Ky është një “betim” i dhënë, i padukshëm, ndaj padronit, një dëgjueshmëri “besnike”, edhe në raste kur bëhen nëpërkëmbje dinjiteti kombëtar e individual, të drejtave e lirive universale, lëre më ato ligjore e kushtetuese. Kjo punë e jona i përngjet një rrëfimi tjetër analog me të parin, paksa mitik, prej të cilit mund të nxjerrim mësim dhe një pasqyrim bardhezi. Subjekti i rrëfimit është “mbreti i dehur”, pikërisht ashtu siç janë “mbretërit” tanë të vegjël, që nuk esëllohen nga dehja e “parajsës shtatëkatëshe”.
“Një ditë prej ditësh, pa kurrfarë qëllimi të keq, një këshilltar i besueshëm e këshillon mbretin: -Madhëri, si një mbret famëlartë që je dhe kudo i respektuar, mendoj se ka ardhur koha që nga pak ta rralloni pirjen e alkoolit! Mbreti ia kishte kthyer me ironi: -Nëse më duhet të të dëgjoj ty dhe ta heq këtë ves, atëherë më nuk do të jem ky që jam. Atëherë, në gjendje esëll, duhet të të largoj ty nga posti që ke, sepse në ditën kur ta kam dhënë fermanin për këshilltar timin, kam qenë po ky mbret i dehur!”
Ky rrëfim i jep paksa mëlmesë shtrirjes sonë në pushtet. Është jashtë çdo logjike t’i përmendim maskarallëqet që janë bërë ndër vite dhe që po bëhen edhe sot, pa marrë therë në këmbë asnjë subjekt përgjegjës. Në botën moderne, sipas disa mendimtarëve, ka pesë mëkate të rënda që bëhen e s’falen: “Pasurim pa mund e djersë, lumturi në kurriz të të përvuajturve, tregti pa moral, shkencë pa humanizëm dhe politikë pa parime!”. Ne, a i kemi që të gjitha këto, jemi a s’jemi “mëkatarë”!?