Amir Rrahmani është gjithnjë i pranishëm në formacionin bazë të Hellas Veronas. Mbrojtësi prishtinas është momentalisht i pazëvendësueshëm te skuadra elitare e Serie A, shkruan ‘Hellas1903.it’, përcjell Zëri.info, transmeton gazeta Koha. 15 paraqitje në 15 ndeshjet e para në Serie A janë shifrat e Amir Rrahmanit këtë edicion.
Me të arritur nga Dinamo Zagrebi, gjiganti kosovar është përshtatur në kohë rekorde me ritmin dhe intensitetin e kampionatit italian. Për më tepër, në dy edicionet e kaluara, me Dinamo Zagrebin, ai kishte shkëlqyer edhe në Ligën e Evropës.
‘Syri i kujdesshëm’ i trajnerit Ivan Juric menjëherë e pa potencialin e Rrahmanit, i cili tani është shtyllë e mbrojtjes te Hellas Verona.
Pasi luajti për Shqipërinë në grupmoshat e reja, Rrahmani zgjodhi Kosovën, aty ku edhe është kapiten. Mbrojtësi nga Prishtina numëron rreth 250 paraqitje në karrierën e tij si futbollist. Me pak fjalë, 25-vjeçari ka personalitetin dhe karakterin e një ‘veterani’.
Rrahmani njihet edhe për lojën e tij në ajër, ku kundërshtarët e kanë shumë problem të përballen me të.