Delvina KЁRLUKU
Lulzim Agai u lind në Shkup (1962). Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Fakultetin e mjekësisë e kreu në Prishtinë (maj 1987). Vitet e para pas diplomimit punoi si mjek i përgjithshëm nëpër fshatra të Kosovës. Specializimin nga neurokirurgjia e filloi në Repartin e neurokirurgjisë në Prishtinë më 1989. Në gusht të vitit 1990 suspendohet nga udhëheqja e dhunshme serbe, si shumica e të punësuarve shqiptarë në Klinikën e kirurgjisë. Prej 1990-1994 e vazhdon specializimin në Zagreb, për ta përfunduar në Shkup në vitin 1996. Në maj 2000 punësohet në Klinikën e neurokirurgjisë në Shkup, si specialist i parë shqiptar që i priu punësimit të mëvonshëm të një plejade të punësuarish shëndetësorë shqiptarë në vitet që pasuan. Nga viti 2011, ka punuar në spitalin e përgjithshëm “Remedika” në Shkup si specialist neurokirurg. Ndërsa tani është angazhuar në spitalin e përgjithshëm “Sistina”, Shkup.
KOHA: Çka të ka mësuar mjekësia?
AGAI: Mjekësia është shkenca e vetme që punon për eliminimin e shkaqeve të ekzistencës së saj. Pra, bëri e i shëroi të gjitha sëmundjet, ajo do të pushojë së ekzistuari. Për fat të keq, kjo nuk ndodh. Mjekësia njëkohësisht është zanat, që integron në vete të arriturat më të reja shkencore, ku teknologjia informative tashmë luan rol të pazëvendësueshëm në funksionimin e saj. Nga ana tjetër, mjekësia si profesion është sfiduese, tunduese, tekanjoze, shpeshherë molisëse. Thonë se satisfaksioni i mjekut me punën e bërë është një veçori që nuk e kanë profesionet e tjera. Ka mjaft të vërtetë në këtë thënie, por kur përfundon dita mjeku shpesh ndihet si limon i shtrydhur. Ka shumë dallime në të ushtruarit e kësaj detyre në varësi nga vendi, koha, rrethanat ekonomike, sociale, historike e të tjera. Ç’më ka mësuar mjekësia? T’i ofrosh ndihmë dikujt është privilegj hyjnor.
KOHA: Çka do të thotë tё jetosh me mjekësinë?
AGAI: Do të thotë të cungosh mjaft nga koha jote e lire, nga familja, shoqëria. Telefoni celular, me cingërimat e tija të paparashikueshme, sa është i dobishëm, po aq të bëhet i padurueshëm. Këtu, natyrisht nënkuptohet dhe qasja individuale e çdo mjeku – sa është i gatshëm ta çojë një punë gjer në fund? Një mjekim i suksesshëm, nganjëherë mund të zgjasë me muaj dhe kjo kërkon një përkushtim permanent.
KOHA: Çka do të thotë të jesh kirurg?
AGAI: Kirurgët e parë kanë qenë berberë, njerëz me duar të shkathtë, që kanë hequr dhëmbë të prishur, kanë mjekuar plagë, eshtra të thyer, ashtu si kanë ditur, apo si kanë mësuar nga të tjerët. Ata nuk janë konsideruar si mjekë dhe janë trajtuar me përbuzje nga mjekët e kohës. Integrimi i kirurgëve në gjirin e mjekësisë fillon në Francë në periudhën e rilindjes. Që nga ajo kohë kirurgjia zbaton metoda shkencore dhe është pjesë e një sistemi të mirëfilltë të mjekimit. Të jesh kirurg, do të thotë të kesh përgjegjësi të madhe ngase ndërhyn në mënyrë invasive në organizëm dhe kjo ndërhyrje duhet ta përligj “agresionin” e saj ashtu që të ketë efekt të dobishëm. Të jesh neurokirurg do të thotë të ballafaqohesh me situata shpesh shumë të vështira për menaxhim. Pasi e kryen operacionin dhe je i sigurt se e ke bërë punën si jo më mirë, vjen periudha e ankthit postoperativ të operatorit, ku mund të ndodhin komplikimet e hershme postoperative, pastaj pason një periudhë më e qetë dhe kënaqësia nga ndihma e ofruar. Dhe çdo gjë rifillon sërish nga e para.
KOHA: Përveç profesionit “mjek”, keni punuar punë tjetër?
AGAI: Jo në mënyrë profesionale. E dua shumë muzikën dhe letërsinë, dëshiroj të krijoj, por deri më tash nuk kam pasur angazhime konkrete të asaj natyre.
KOHA: A ke pasur ofertë të punoni jashtë Maqedonisë. Nëse po, pse nuk pranove të largohesh?
AGAI: Kam pasur mundësi në të kaluarën, nuk pata vendosmërinë e duhur ta bëj një gjë të tillë.
KOHA: Jeni fëmijë i prindërve që i kanë dhënë shumë arsimit shqip. Si ndjehesh për këtë fakt?
AGAI: Po, prindërit e mi i përkasin një brezi entuziast që e bënin punën e tyre me një përkushtim të sinqertë. Një plejadë e tërë nxënësish mirënjohës çdo ditë më përkujtojnë për veprën e tyre. Nga ata e kam pasionin për gjuhën dhe drejtshkrimin. Edhe sot e kësaj dite ata lexojnë me dëshirë dhe janë të rrethuar me libra.
KOHA: Sa atdhetar jeni. Aq sa…?
AGAI: Jam rritur në frymë atdhetarizmi të kulluar me vetëdije se nuk ka kompromise me këtë vlerë. Me kohë ndjenja e atdhetarizmit te unë ka evoluar në disa drejtime – rrahja e zbrazët e gjoksit me simbole kombëtare është e shpifur, e panevojshme dhe e dëmshme. Njeriun e çmoj jo në saje të përkatësisë etnike apo fetare, por në saje të seriozitetit, përgjegjësisë, ndershmërisë, qëndrimeve. Pra atdhetarizmi dëshmohet me punë, me përsosje individuale, me përpjekje të jesh më i mirë. Dhe kështu vazhdon prore… “Atdhetarizmi” verbal, emocional është me afat të shkurtër, pa efekt, madje me efekt negativ. Me kohë kam krijuar kritere të “vetërespektit” kombëtar, që aq shumë mungojnë te ne shqiptarët. Këtë “vetërespekt” e kultivoj me vlerat e mirëfillta, në radhë të parë mëtoj ta respektoj gjuhën tonë, jo për hir të ndonjë elitizmi aristokrat, por i udhëhequr nga një instinkt primordial i të mbijetuarit. Shqipja ka vend të veçantë në familjen e gjuhëve indoevropiane, që është një aristokraci kulturore. Nga vlerat kombëtare veçoj Kanunin e Lekë Dukagjinit. Edhepse është mjaft patriarkal dhe i vrazhdët nga këndvështrimi i sotëm, ai dëshmon për një seriozitet dhe një organizim juridik shoqëror në një kohë kur popujt e tjerë as që kanë pasur ide për diçka të tillë. Sot si popull moralisht jemi shumë më të dobët se në atë kohë. Vlerë tjetër kombëtare për respekt është iso-polifonia shqiptare, e shpallur si kryevepër e trashëgimisë shpirtërore nga UNESCO. Kjo muzikë më shpie në kohëra të preftuara…
KOHA: Prindërit Ju rritën me sakrifica: “Me rrogë mësuesi”?
AGAI: Rrogat e mësuesit u ndërprenë gjatë kohës së diferencimeve ideopolitike të viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Atëherë prindërit mbetën pa punë. Situata ekonomike e familjes u bë tejet e rëndë, sidomos për të mbajtur dy studentë të mjekësisë.
KOHA: A vlen për ju thënia “që të jesh i edukuar duhet të jesh 20 vjet përpara”?
AGAI: Është relative ta shprehish me distancë kohore këtë thënie. Mund të jetë edhe shumë më tepër se kaq.
KOHA: Sa vjeçar ishit kur shpërthyen demonstratat e Kosovës dhe si i përjetuat?
AGAI: Isha tetëmbëdhjetë vjeçar, ushtar në Armatën jugosllave. Përnjëherë çdo gjë u komplikua pa masë, ushtarët shqiptarë filluan “të vetëvriten” ose të burgosen për veprimtari armiqësore. Gjasat që edhe mua të më ndodhin gjëra të tilla ishin shumë reale.
KOHA: Kur u diferencuan prindërit Tuaj nga sistemi komunist, Ju keni qenë në moshë relativisht të madhe. Si e keni përjetuar atë padrejtës të vrazhdë?
AGAI: Atëherë isha student i mjekësisë në Shkup, i posakthyer nga ushtria. Kohë e vështirë, isha shumë i revoltuar dhe i frustruar, nuk kisha shpjegim për shumë gjëra. E kisha të vështirë të përqendrohem në mësime, por ia arrita.
KOHA: Zgjodhët mjekësinë se jeni njeri human?
AGAI: Humanizmi është me gjasë i lindur, por edhe kultivohet me edukatë familjare dhe nga rrethi. Sa është dikush human, varet nga krahasimi. Bëmat e Gonxhe Bojaxhiut frymojnë me humanizëm sublim.
KOHA: Si ndodhi që pikërisht Ju ta thyeni akullin dhe të bëheni kirurgu i parë shqiptar që “shkeli” në Spitalin Shtetëror të Shkupit?
AGAI: Në atë kohë isha specialist i neurokirurgjisë, por punoja si mjek i përgjithshëm në Studeniçan. Në Klinikën shtetërore u punësova në saje të angazhimit të të ndjerëve të respektuar, Arbën Xhaferi dhe Muharem Nexhipi.
KOHA: Puna e bën njeriun, apo…?
AGAI: Puna të mban në formë dhe të ndihmon shumë në çdo aspekt, por për të qenë dhe mbetur njeri nevojiten dhe cilësi të tjera.
KOHA: U flisni butësisht njerëzve?
AGAI: Kryesisht po, sidomos gjatë punës.
KOHA: A duhet që pacientit t’i tregohet e vërteta për sëmundjen?
AGAI: Në parim po. Por kjo varet nga mentaliteti, tradita, rrethi. Pacientit gjerman i tregohet e vërteta ngase ai është mësuar që si fëmijë me qasje të tillë. Te ne është më ndryshe.
KOHA: Sa gëzoni respekt si mjek i suksesshëm?
AGAI: Nuk preokupohem me këtë, mundohem ta kryej si duhet punën.
KOHA: Sa respektohet Betimi i Hipokratit?
AGAI: Sa respektohet betimi që japin kryetarët e shteteve, ushtarët e profesione të tjera! Mendoj se elementet e një sjelljeje fisnike dhe të përgjegjshme mbëltohen që në fëmijëri dhe vazhdojnë të modelohen gjatë jetës. Betimi i Hipokratit është sajuar bukur, por ai vetvetiu nuk ka ndonjë forcë magjike ta orientojë një individ të pa orientuar.
KOHA: Kur dhe ku ndodhi intervenimi juaj më i gjatë kirurgjik?
AGAI: Kohëzgjatja e operacionit nuk ka rëndësi, është e qenësishme që të kryhet si duhet. Operacionet neurokirurgjike mund të zgjasin nganjëherë edhe mbi dhjetë orë.
KOHA: A mendoni se shoqërisë shqiptare i nevojitet një ndërhyrje kirurgjikale?
AGAI: Them se po. Së pari duhet ta njohim dhe respektojmë veten si komb. Kjo arrihet përmes arsimimit të mirëfilltë. Arsimin e kemi në gjendje të mjerë, në institucione arsimore është vendosur korrupsioni, nepotizmi, jo profesionalizmi. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë të katandisemi në injorancë. Dhe kjo do të vazhdojë të reflektohet në të gjitha segmentet e shoqërisë – shëndetësi, gjyqësi, ekonomi. Si të tillë nuk do të jemi kompetitivë me popujt tjerë të rajonit, mos të flasim për më gjerë dhe do të mbesim inferiorë, të frustruar dhe të hutuar. Më vjen keq që shumë individë të ndërgjegjshëm e të ndershëm në rrethin tonë janë kredhur në një apati shoqërore, një lloj mimikrie sociale. Shtylla e një shoqërie duhet të jetë klasa e mesme, intelektualët e guximshëm që nuk mëdyshen ta shprehin haptas mendimin. Shoqëria është një brumë që duhet ngjeshur vazhdimisht dhe kjo kërkon mjeshtëri. Duhet të orvatemi të krijojmë kushte kur votuesi para se ta jep votën, të parashtrojë pyetje – kush është kandidati që dëshiron të na udhëheqë, çka ka të kryer, çka punuar në jetë që më siguron se do të sillet me përgjegjësi dhe do të dijë në situata kritike të menaxhojë me sukses? Mundohuni t’i analizoni në këtë mënyrë liderët aktualë shqiptarë!
KOHA: Jemi dëshmitarë se shumë kolegë tuaj janë përfshirë në politikë? Si e interpretoni këtë fakt?
AGAI: Një mjek mund të përfshihet në politikë, si këtu ashtu edhe në mbarë botën. Nuk kam shumë dijeni për veprimtaritë aktuale të kolegëve. Njoh dy sosh që janë angazhuar sinqerisht në politikë, ndjejnë përgjegjësi të japin kontributin e tyre për përmirësimin e shoqërisë dhe këtë e përshëndes. Mjerisht ekziston edhe ana tjetër, emërimi në poste të ndryshme të individëve që nuk janë të përgatitur për diçka të tillë. Fajin për këtë e kanë edhe vetë ata, por edhe politikanët që i abuzojnë mjekët e ri, duke ju ofruar pozita për të cilat nuk kanë përvojë jetësore e profesionale. Në këtë mënyrë shkatërrohet edhe karriera. Por, kjo dukuri nuk ndodh vetëm me mjekët – në Maqedoni keni shumë persona të profesioneve të ndryshme të cilët kanë pozita që nuk i meritojnë. Prandaj edhe rezultatet e funksionimit të shtetit i kemi të dobëta.
KOHA: Gjaku yt falet?
AGAI: Kjo më përkujton titullin e veprës së famshme të poetit të madh kosovar, Ali Podrimja – Kosova është gjaku im që nuk falet. Para një kohe, u frymëzova nga lëvizja e vendosur e tetovarëve për ajër të pastër në mjedisin e tyre dhe bëra një paralelizëm – Tetova është ajri im që nuk falet…
KOHA: Presioni më i madh është dhuna psikike apo regjimi?
AGAI: Më lejoni ta parafrazoj Umberto Ekon, shkrimtarin dhe themeluesin e semiotikës – diktaturat sot nuk realizohen me pushtimin e kazermave, por me pushtimin e mediave. Në Maqedoni shumica e mediave janë të pushtuara dhe janë bërë altoparlantë të qeverisë. Me këtë realizohet shpëlarje e kontinuar e trurit, që për mua është dhunë psikike. Dhuna psikike është produkt i regjimit.
KOHA: Jeni të mbyllur në kthetrat e traditës shqiptare?
AGAI: Varet se ç’nënkuptojmë me traditë shqiptare, kjo është çështje fleksibile që rrugëton nëpër kohë e hapësirë. Jemi shoqëri me shumë dallime dhe kemi shumë diskrepanca nëse flasim për Tiranën, Prishtinën apo Çairin. Shumë perla të traditës sonë të mirëfilltë i kemi anashkaluar, kemi pranuar vlera të dyshimta. Refuzoj të pranoj si traditë femrën e pashkolluar, gjuhën e lënë pas dore, mos përgjegjësinë. Por e çmoj çiltërinë, dëlirësinë shpirtërore, mikpritjen. Jam i hapur për ide të reja, dua të njoh kultura të reja, zotëroj disa gjuhë, assesi nuk mbyllem në rreth.
KOHA: Ç‘është Evropa për ju?
AGAI: Kontinenti im me të cilin krenohem, vend i një kulture mahnitëse, zanafilla e mendimit të lirë dhe demokratik, muzikës klasike, letërsisë madhështore. Por, edhe një pasuri e grumbulluar me vuajtje të popujve të tjerë, sot jashtëzakonisht e burokratizuar dhe jo fort e aftë t’i zgjidhur problemet e saja.
KOHA: Jepni vetëm kujdesin apo edhe zemrën?
AGAI: Shpeshherë duhet dhënë edhe zemrën.
KOHA: I bëni punët me dashuri të madhe?
AGAI: I bëj me përgjegjësi.
KOHA: Shpëtoni njeriun nga rreziku?
AGAI: Kjo është pjesë e punës sime.
KOHA: Gabimin e mjekut e mbulon dheu?
AGAI: Çdo gabim, qoftë i politikanit, gazetarit, gjykatësit, policit duhet zbardhur dhe analizuar, që të mos përsëritet. Në perëndim mjekët i publikojnë në revista profesionale edhe gabimet edhe komplikimet, që janë pjesë e punës. Nuk gabon vetëm ai që nuk punon.
KOHA: Keni mësuar diç nga i varfri, apo vetëm jepni simpatinë ndaj tyre?
AGAI: I varfëri mund të ketë shpirt shumë të pasur.
KOHA: I humbet shpirti njeriut nëse luksi e rrethon?
AGAI: Nevojitet pasuri shpirtërore të përballohet një skenar i tillë.
KOHA: Prishtinën e konsideroni djep të dijes?
AGAI: Duhet shumë punë, kohë e traditë që ta meritojë një epitet të tillë. Dhe t’ju mundësohet njerëzve të punës ta realizojnë këtë.
KOHA: Si ishte jeta në Prishtinë pёr dallim me Zagrebin?
AGAI: E para qendër në zhvillim e sipër, e dyta qendër me traditë të etabluar evropiane.
KOHA: Çfarë do të thotë për Ju emri “Remedika”?
AGAI: Një fazë e punës sime.
KOHA: Po emri “Sistina”?
AGAI: Spitali ku punoj për momentin. Ka organizim, logjistikë dhe infrastrukturë që mundëson punë cilësore.
KOHA: Do t’ua rekomandoje fëmijëve, brezave të rinj, profesionin tuaj?
AGAI: Jo, është profesion shumë i vështirë dhe i pafalenderuar, sidomos këtu te ne.
KOHA: Mjekët qëndrojnë “përherë” zgjuar?
AGAI: Ka mjaft periudha të tilla.
KOHA: Sa orë gjumë bëni?
AGAI: Gjashtë orë, nganjëherë më pak.
KOHA: Ç’do të thotë për Ju të jesh i pari?
AGAI: Përgjegjësi, t’ju mundësosh atyre që vijnë pas teje ta kalojnë më lehtë rrugëtimin tënd. T’ju mundësosh të jenë më të mirë se ti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.