Qendra ditore është themeluar në vitin 2000 dhe në këtë Qendër për çdo ditë frekuentojnë mbi 10 fëmijë, të cilët me transport të organizuar, barten nga shtëpia deri në qendër, ndërsa gjatë qëndrimit të tyre, zhvillojnë aktivitete të ndryshme edukative-arsimore
Urim HASIPI
Tetovë, 20 shtator – Klubi Rotarian i Tetovës ka përuruar parkun argëtues në Qendrën ditore për fëmijë me nevoja të veçanta që ishte një nevojë e kamotshme e kësaj qendre. Kjo u realizua me donacion të klubit Rotarian të Tetovës dhe disa kompanive tetovare. Janë mbjellë rreth 20 dru, janë vendosur dy lisharëse dhe rrëshqitëse – të gjitha këto në një platformë mbrojtëse prej gome për të evituar lëndimet e fëmijëve që frekuentojnë Qendrën ditore. Kryetar i klubit Rotarian të Tetovës, Mevaip Abdiu, theksoi se kjo ka qenë nevojë për këtë Qendër ditore dhe një ëndërr e këtyre fëmijëve, e cila u bë realitet dhe prej tash e tutje këta fëmijë do të kenë mundësi që, përveç qëndrimit në ambientet e brendshme, do të kenë edhe ku të argëtohen. Ai nënvizoi se klubi Rotarian gjithmonë do të realizojë projekte të këtilla, ndërsa falënderoi donatorët që kontribuuan në këtë projekt.
“Klubi Rotarian i Tetovës ua dorëzoi parkun e rregulluar fëmijëve me nevoja të veçanta në Qendrën ditore në këtë qytet. Falënderime për të gjithë anëtarët e klubit Rotarian dhe donatorët NB kompani, Shpendi Xhepçisht, Qendra për Bashkëpunim Ballkanik Loja dhe kompania Bio Dekor. Vitin e kaluar realizuam rregullimin e brendshëm të kësaj qendre, kurse këtë vit përfunduam me sukses parkun për fëmijë, ku janë mbjellë 20 dru, janë vendosur dy luhatëse dhe një rrëshqitëse, janë lyer muret e jashtme të parkut dhe Qendrës ditore, dhe është vendosur sistemi i ujitjes. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të realizojmë projekte në të mirë të komunitetit”, tha Abdiu.
Para të pranishmëve foli edhe drejtori i Qendrës ndërkomunale për punë sociale, Darko Obadiç, i cili deklaroi se projektet e tilla janë të mirëpritura, ndërsa falënderoi klubin Rotarian për një investim të këtillë, siç tha ai, një mungesë e Qendrës ditore për fëmijët me nevoja të veçanta.
Ndryshe, Klubi Rotarian vitin e kaluar ka ndihmuar në rregullimin e ambienteve të brendshme, kuzhinës dhe dhomët për fjetje, si dhe mbrojtëse brenda Qendrës ditore. Qendra ditore është themeluar në vitin 2000 dhe në këtë Qendër për çdo ditë frekuentojnë mbi 10 fëmijë, të cilët me transport të organizuar, barten nga shtëpia deri në qendër, ndërsa gjatë qëndrimit të tyre, zhvillojnë aktivitete të ndryshme edukative-arsimore të përkujdesur nga punëtor social, pedagog, psikolog, logoped dhe personel ndihmës. (koha.mk)