Rossi: Sezoni do të jetë “gjysmak”, por më mirë sesa të rrimë në shtëpi

“Doktori” beson se edicioni i 72-të i kampionatit botëror të motoçiklizmit do të jetë një kompeticion gjysmak, por sidoqoftë sipas tij është më mirë kështu se sa të zgjidhet variant tjetër, për të mos garuar fare

1

Valentino Rossi deklaron se kampionati i sivjetshëm në Moto GP do të jetë sa i veçantë, po aq edhe i ndryshëm krahasuar me botërorët e sezoneve të kaluar në klasin mbretëror, megjithatë për 7 herë kampionin e botës në cilindratën më të lakmuar të motoçiklizmit, një zgjidhje e tillë është shumë më e mirë se sa alternativa tjetër për të ndenjur në shtëpi, apo për të qëndruar një vit pa garuar.

“Doktori” beson se edicioni i 72-të i kampionatit botëror të motoçiklizmit do të jetë një kompeticion gjysmak, por sidoqoftë sipas tij është më mirë kështu se sa të zgjidhet variant tjetër, për të mos garuar fare. Për hir të së vërtetës Valentino është i ndërgjegjshëm që nga ky edicion tepër i veçantë i klasit mbretëror do të varet shumë edhe vendimi i tij, për të vijuar apo jo karrierën e tij në këtë sport. Vitet kalojnë, por gjithsesi pavarësisht dëshirës së tij të madhe për të garuar dhe për të shijuar akoma adrenalinën që të ofron qëndrimi majë shalës së një motori të “hazdisur” me një fuqi të tillë, Rossi është në fazën përmbyllëse të karrierës.

Te Yamaha drejtuesit presin përgjigje në muajin nëntor, për një marrëveshje paraprake të arritur ndërmjet palëve dhe muaji i parafundit i këtij viti është përcaktuar si limiti, për veteranin italian, për të vendosur në lidhje me të ardhmen e tij. Valentino deklaroi se që të gjithë dëshirojnë për të zbritur sa më shpejt që të jetë e mundur në pistë për të garuar, pasi në lojë është e ardhmja e këtij sporti. Plani i tij është për të kaluar në radhët e skuadrës satelite të Yamaha-s, Petronas, ndërsa alternativa tjetër është për t’u përfshirë në projektin e zhvillimit të motorit, të shtëpisë së famshme prodhuese japoneze nga Iwata. Pra përfundimi i kontratës së Rossit te ekipi zyrtar i hap dyert bashkëpunimit të dyshes Maverick Vinales – Fabio Quartararo, te skuadra Monster Energy Yamaha për kampionatin botëror të Moto GP për vitin 2021.

Në lidhje me këtë zgjedhje të bërë nga Lin Jarvis dhe krerët e Yamaha-s Rossi rrëfeu se nuk është se u habit shumë, pasi e priste një vendim të tillë nga ana e drejtuesve të ekipit. 41-vjeçari pesarez shtoi se marrëdhënia e tij me Yamaha-n është e fortë dhe shumë e konsoliduar, dhe në mënyrë të kuptueshme shkon përtej vendimit për t’u mbështetur në të ardhmen te pilotë të tjerë të rinj dhe më të uritur për sukses.

“Doktori” shpjegoi se bashkë me drejtuesit të dy palët kanë bërë shumë për njëri – tjetrin, sidoqoftë plot kënaqësi veterani italian rrëfeu gatishmërinë e skuadrës për t’i ofruar një motor zyrtar edhe për sezonin e ardhshëm. Me keqardhje Rossi tha se Moto GP do t’i mungojë shumë, që nga momenti kur të vendosë për t’u tërhequr, pasi gjithë jetën e tij e ka kaluar pothuajse duke ngarë një motor. Pavarësisht pasionit të jashtëzakonshëm për të vazhduar çdo gjë ka një kufi dhe limitet njerëzore kushtëzojnë ndjeshëm çdo lloj instikti në garat e shpejtësisë, e në fakt Rossi qartësoi se në këtë lloj sporti mund të bësh përpara vetëm nëse je në gjendje për të fituar.

Veterani nga Marche e përfundoi fjalën e tij duke deklaruar se tani i kërkohet për të regjistruar patjetër rezultate të larta, kështu që mbërritja në podium përbën objektivin kryesor, në mënyrë që të vijojë karrierën në klasin mbretëror edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Në edicionin e kaluar 3 fitore u siguruan pikërisht nga pilotët italianë, megjithatë emri i Rossit mungon prej vitesh në listën e fituesve të një gare në Çmimet e Mëdha të Moto GP, madje “Doktori” e përfundoi sezonin e shkuar vetëm në vendin e shtatë, në klasifikimin e përgjithshëm, jo vetëm pas kolegut të tij te Yamaha Zyrtare, spanjollit Maverick Vinales, por gjithashtu prapa edhe pilotit të ri francez Fabio Quartararo, që ndonëse me një motor klient te Yamaha ia doli mbanë për të lënë poshtë vetes njërin prej pilotëve më të mëdhenj të këtij sporti.

Sa për statistikë Valentino ka dështuar për të shkuar në podium në 16 garat e fundit, ndërsa edicioni i sivjetshëm pritet të jetë akoma më i vështirë për shkak të rrethanave që janë krijuar dhe situatës së pandemisë së koronavirusit, apo qoftë edhe prej mungesës së testeve.

Comments are closed.