Valentino Rossi, një javë pas garës së zhvilluar në Aragon, ku u klasifikua i pesti, garë ku mori pjesë 24 ditë pas operacionit të kryer në këmbë, ka rrëfyer se si arriti të rikuperojë kaq shpejt. “Mua më bezdis fakti të qëndroj gjatë në shtëpi. Ndoshta ky ishte një motivim për mua. Le të themi që të pilotoj motorin më bën mirë, është si një ilaç për mua”, u shpreh piloti italian i Jamaha. Rossi nuk garoi në garën e shtëpisë, atë të Misano, por bëri maksimumin për të qenë në pistë në garën e zhvilluar në Aragon dhe ia doli mbanë të ishte në start.
“Për mua, vendi i tretë në prova dhe vendi i pestë në garë është një rezultat i jashtëzakonshëm, duke parë vështirësitë që ka pistë dhe problemet fizike që unë kisha gjatë gjithë garës. Mendoja se i kisha përjetuar të gjitha deri më tani në jetën time, por kjo garë ua kaloi të gjithave”, tha Rossi, duke mbetur edhe vetë i mahnitur nga reagimi që pati trupi i tij gjatë garës. Piloti italian i Jamaha duket jashtë betejës për titull në Moto GP, pasi mungesa në një garë e ka penalizuar shumë. “Është e vështirë, por nuk heq dorë. Në Motegi synoj fitoren”, tha Rossi.