Lajm i madh për Jamahan dhe për të apasionuarit e Moto GP. Velentino Rossi ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe niset menjëherë drejt Spanjës për provat e lira në pistën e Aragon. Jamaha ka konfirmuar riaftësimin e pabesueshëm të “Doktorit” nëpërmjet një komunikate për shtyp, 18 ditë nga aksidenti që i shkaktoi frakturë në këmbë. Rossi u dëmtua gjatë stërvitjes më 31 gusht, duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale e për rrjedhojë humbi Çmimin e madh të Misanos, që u zhvillua më 10 shtator. Gjithsesi para se të zbresë në pistë për provat e lira të së premtes, 38-vjeçari duhet të marrë miratimin e mjekut përgjegjës të këtij cirkuiti.
Riaftësimi kaq i shpejtë i pilotit italian të Jamahas konsiderohet një mrekulli, që i dedikohet vullnetit të tij të hekurt. Diçka e jashtëzakonshme nëse i referohesh moshës së Rossit. Pritej që shtatë herë kampioni i botës të kthehej në Motegi, në Çmimin e Madh të Japonisë, por të gjitha gjasat janë që të marrë miratimin për të garuar që në pistën e Aragon. Cekim, aktualisht Valentino Rossi renditet në vendin e katërt me 157 pikë, 42 më pak se kryesuesi Mark Markues.