Vetëm fitore! Barazimi, e aq më tepër humbja nuk vlerësohen aspak si alternativa për tifozët apo kritikët e Manchester United, në të kundërt i gjithë faji i mbetet Jose Mourinho dhe sipas tyre, portugezi duhet të largohet menjëherë.
Por ndryshe nga shumica, Wayne Rooney, ish- lojtar i “Djajve të Kuq”, i ka dalë në mbrojtje trajnerit, sipas së cilit ai nuk është i vetmi fajtor për rezultatet e dobëta dhe ka shenjestruar futbollistët që nuk japin maksimumin në fushën e lojës. Në një prononcim për mediat, 32-vjeçari është shprehur se futbollistët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për lojën e dobët që japin, jo të fajësojnë trajnerin.
“Situata që po kalon Manchester United është pak e vështirë. E di që Jose Mourinho është në presion, por mendoj se lojtarët duhet të mbajnë më shumë përgjegjësi. Trajneri mund të bëj shumë, por më pas janë futbollistët ata që luajnë në fushë. Është e thjeshtë për ta fajësuar Jose Mourinho, por mendoj se disa lojtarë duhet të bëjnë më shumë për Manchester United. E njëjta gjë ndodhi kur kishim trajner Louis van Gaal. Ai u kritikua shumë, por në dhomat e zhveshjes unë u thashë futbollistëve “duhet të bëjmë më mirë”. Personalisht mendoj se Van Gaal e organizoi në mënyrë të shkëlqyer lojën, por ne nuk ishim në gjendje për ta prodhuar në fushë. Kjo është e njëjta gjë që po ndodh tani me Manchester United”, tha Rooney.
Aktualisht, “Djajtë e Kuq”, renditen të tetët, ku në 8 ndeshje të luajtura kanë arritur të grumbullojnë 13 pikë në total.