Humbja me “Jang Boys” në Ligën e kampioneve nuk lë shenja te “Juventus” dhe Ronado.
I ndalur shkurt në përfundim të ndeshjes që “Juventus” humbi në Zvicër, Kristiano Ronaldo tha se është i lumtur për vendin e parë të arritur nga skuadra e tij, ndërse golat e munguar ishin thjesht çështje fati.
“Shpërdorova shumë? E bukura e Champions-it vjen pikërisht tani. Do të na presin ndeshje të mëdha. Personalisht jam i qetë, ndonëse është një mëkat për gjithë ato raste që shpërdoruam, unë mbi të gjithë. Nëse do të kisha shfrytëzuar rastet që pata sidomos në pjesën e parë, ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe, por nuk kemi pse ta dramatizojmë. Mendoj se ishte thjesht çështje fati, por do të përmirësohemi të gjithë”.
“E njoh potencialin e këtij “Juventusi” dhe jam i bindur që së bashku do të festojmë shumë suksese të rëndësishme, në 2019-ën, – nënvizon portugezi, i cili qëndroi në fushë sërish për 90 minuta. – E rëndësishme është që e mbyllëm të parët, ndërsa unë ndihem në formë të shkëlqyer. Flas shpesh me Alegrin për këtë, nuk shkova në kombëtare, sepse po ndjek një program ndryshe. Do të kem kohë të pushoj në vazhdim, por për momentin nuk ndjej lodhje”. (ATSH)