Gara e tyre është një maratonë që do vendoset në sprintin e fundit sot (e shtunë) në “Bernabeu”, sepse ata vijnë në kuotë të barabartë golash gjatë vitit 2017, 53. Shenja e barazimit vlen edhe për “Topat e Artë”, “Këpucët e Arta” dhe trofetë e Ligës së Kampioneve.
Fati i ka lidhur pashmangshmërisht bashkë dhe beteja për të mposhtur njëri-tjetrin do të vazhdojë. Portugezi ka pasur një vit më të suksesshëm se argjentinasi në planin e trofeve me klubin dhe ata individualë. Prandaj, njërit me egon e tij do t’i vinte shumë keq sikur ta humbiste edhe këtë etapë të fundit.
Dekada e fundit nuk mund të kuptohet pa këta dy emra dhe “El Clasico” ka pasur fatin që t’i ketë në fushë prej vitit 2009. Rivaliteti i tyre ka zëvendësuar duele të mëdha sportive si ai i tenistëve Andre Agasi dhe Pit Sampras. Kështu që edhe njëherë, edhe pse klasikja e së shtunës do të ketë shumë yje, sërish fokusi i kamerave do të jetë tek ata të dy.
Ndryshe, statistikat – shifrat tregojnë se sa të rëndësishëm janë Ronaldo për Realin në “Camp Nou” dhe Mesi për Barçën në “Bernabeu”. Kur KR7-ta luan, Reali fiton 75.36 për qind të ndeshjeve. Kur Mesi është në fushë në anën tjetër, përqindja e fitores së katalanasve është 75.63.
Kur Kristiano shënon, Reali fiton në 89.53 për qind të rasteve. Sa herë e bën rivali i tij, Barcelona del me 3 pikët në 88.94 për qind të ndeshjeve. Tifozët mund të debatojnë dhe statistikat sfidojnë njëra-tjetrën, por vështirë në këtë kohë sot të përcaktosh më të mirin. Për Ronaldon, vizita e “pleshtit” në fushën e tij dhe mundësia për të shuar shpresën e Realit për mbrojtjen e titullit, do të ishte një goditje shkatërrimtare.
Për Mesin, e shtuna mund të shënojë mbylljen e një faze të parë perfekt. Do të jetë hera e 34-ët që ata do të përballen me njëri-tjetrin me argjentinasin, që ka shënuar dy gola më shumë se luzitani (20-18). KR7 ka dalë fitimtar 10 herë, ndërsa rivali i tij 15. Por le t’i harrojmë për pak shifrat. Sa herë hyjmë në to, duket sikur diskreditojmë magjinë e kualitetit të secilit. Për të përcaktuar se kush është më i miri, bëjmë mirë t’i shmangim statistikat. Por sërish tundohemi nga ato, sepse kjo është hera e parë që ata vijnë në një barazi të tillë që prej nisjes së betejës së përjetshme një dekadë më parë.
Klasikja e sotme do të shihet në të gjithë botën dhe jo vetëm sepse përballë do të jenë dy skuadrat më të mira në botë, por edhe sepse ato kanë në gjirin e tyre dy lojtarët më të mirë të planetit: Ronaldo dhe Mesi, dominuesit e kësaj epoke.