Cristiano Ronaldo vret shpresën e tifozëve të Manchester United. Sulmuesi i Juventusit ka vendosur të nxjerrë në shitje vilën luksoze në Cheshire, duke i dhënë kështu një goditje finale shpresës së tifozëve të “djajve të kuq” për një rikthim në “Old Trafford”.
Shtëpia e përbërë nga 5 dhoma gjumi, një pishinë të madhe, vaskë të nxehtë dhe dhomë me avull, si dhe një palestër, dhomë kinemaje dhe lojërash është në shitje për shifrën e 3.25 milion paund. Një shifër më e ulët nga ajo që i kushtoi xhepave të luzitanit, i cili në vitin 2006 shpenzoi plot 3. 85 milion paund për të bërë të tijën këtë vilë superluksoze. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Ronaldo vendos të shes këtë pronë.
Një gjë të tillë e tentoi dhe në vitin 2009, vit ku u largua nga Manchester United për tu bashkuar me Realin e Madridit. Por, prej thuajse 1 dekade, Ronaldo e ka lëshuar me qira vilën. Shtëpia është shfrytëzuar nga mbrojtësi i “djajve”, Luka Shaw, i cili prej kohës ku u bashkua me Southampton në vitin 2014, depoziton plot 7 mijë paund në muaj në arkat e 5 herë fituesit të Topit të Artë.
Prona gjendet në zonën e pasur të Alderley Edge, dhe shumë futbollistë dëshirojnë ta bëjnë të tyren. Momentalisht Cristiano Ronaldo jeton në Torino, ku u transferua në verën e këtij viti te Juventusi për shifrën rekord të 100 milion eurove.