10 prilli është data kur bardhezinjtë e Juventusit do të sfidohen me Ajaxin në transfertën e çerekfinaleve të Championsit, por është e kotë të kujtojmë kalendarin, kur më të interesuarit janë torinezët që mbeten në ankth për gjendjen e Cristiano Ronaldos, i dëmtuar në këmbën e djathtë gjatë sfidës së përfaqësueses portugeze ndaj Serbisë.
Mbetet ende për t’u kuptuar se sa do të jetë koha që do ta mbajë jashtë fushës së blertë ky dëmtim, sulmuesin 34-vjeçar, edhe pse paraprakisht u mendua se nuk do të ishte më shumë se sa dy javë. Vlerësimet paraprake mjekësore ende nuk kanë dalë në një përfundim konkret se sa e gjatë do të jetë koha e rikuperimit të tij ndaj bardhezinjtë nuk kanë sigurinë nëse do të kenë shërbimet e fenomenit në takimin ndaj holandezëve.
Pas një ndalese për impenjimet personale me sponsorët në Barcelonë, tashmë Ronaldo ndodhet në Torino ku do të kryejë vizitat me stafin mjekësor të Juventusit. Ndërkohë që Allegri do të nisë seancat stërvitore për sfidën e kampionatit që nis të shtunën më atë të Empolit pas pauzës së Kombëtareve.
Me fizikun e përgatitur të Ronaldos gjithsesi, nuk pritet të ketë surpriza të pakëndshme duke parashikuar se realisht koha e rikuperimit të tij do të mbetet në afatin dy javor.