Cristiano Ronaldo feston sot 34 vjetorin e lindjes, e para ditëlindje që feston në Itali me fanellën e Juventusit. Një sezon perfekt për të, 17 gola në 22 ndeshje, ku vetëm në një rast e ka nisur nga stoli dhe një mesatare për gol në çdo 112 minuta lojë.
Gjithsesi objektivi madhor i CR7 dhe i Juventus është pushtimi i Champions League dhe ky sezon do jetë një mundësi e artë për ta, për të shkuar deri në fund.
Për këtë Andrea Agnelli po përgatit tre dhurata për portugezin dhe për trajnerin Allegri. Së pari, po punohet fort për të sjellë në Torino mikun më të mirë të Ronaldos, brazilianin Marcelo, i cili nuk ka patur ecuri të mirë me trajnerin Solari.
Transferimi i tij në Itali në qershor është një mundësi konkrete dhe për sulmuesin portugez do ishte një afrim domethënës, falë miqësisë dhe bashkëpunimit që ka në fushë me brazilianin.
Në anën tjetër është edhe i pakënaquri Isco, i cili me të gjitha gjasat do largohet nga Madridi në fund të sezonit nëse Santiago Solari vijon të jetë në krye të skuadrës. Klima aspak e qetë në “Bernabeu” duket qartë, edhe në fitoren e kësaj jave spanjolli u pa qartë se nuk asnjë shenjë buzëqeshje në fytyrë edhe pse luajti dhe pati rol protagonisti.
Emri i tretë është ai i James Rodriguez. Kolumbiani është në vitin e fundit të huazimit te Bayern Munchen dhe me shumë mundësi bavarezët nuk do ta ushtrojnë opsionin e blerjes për 42 milionë euro. James do të kthehet në Madrid në qershor, për të gjetur më pas një skuadër tjetër.
Mësohet se Ronaldo e ka telefonuar personalisht dhe e ka ftuar te Juventus, aty ku do zërë vendin e Paulo Dybala. Një pikë tjetër që e bën të më realizueshëm këtë plan është Jorge Mendes, agjenti i lojtarin, që ka në patronazh edhe vetë Ronaldon.