Nëse mendonit se “Instagram”-i shërbente thjesht si një foto e filtruar e vaktit tuaj të drekës, atëherë e keni shumë gabim. Aplikacioni i shkëmbimit të fotove është shndërruar në një nga bizneset më fitimprurëse, veçanërisht kur bëhet fjalë për promovimin e produkteve nga njerëzit e famshëm. Dhe në këtë fushatë promovimi nuk mund të mungojë kurrsesi një ikonë e marketingut si Kristiano Ronaldo.
Tani, nëse keni pyetur veten përse profili i “Instagram”-it të yllit portugez duket shpesh ashtu siç duket, është për shkaqe komerciale. Një studim i “HopperHQ.com” zbulon se ylli i Realit të Madridit, i cili ka 116 milionë ndjekës (edhe këtu e fiton garën me Mesin, ku vetëm gjatë vitit 2017 i janë shtuar 30 milionë fansa të rinj), fiton 350 mijë euro për çdo postim të sponsorizuar dhe një shifër e tillë e vendos në vend të tretë në listën e njerëzve më të pasur të “Instagram”-it. Edhe ikona e modës, Kajl Xhener, fiton të njëjtën shifër për çdo postim, por motra e Kim Kardashianit ka më pak ndjekës se futbollisti, 99 milionë.
Të vetmit që fitojnë më shumë se “Topi i Artë”, janë ylli i popit dhe aktorja Selena Gomez (481 mijë euro për postim). Në vend të dytë renditet Kim Kardashian me (437 mijë euro). I vetmi mashkull tjetër veç Ronaldos në listën me 10 emrat e parë, është një tjetër sportist, ylli i NBA Lebron Xhejms, i cili fiton (110 mijë euro). Tani nuk e dimë për ju, por ne do vazhdojmë t’u bëjmë foto drekave tona…