Cristiano Ronaldo ka fituar Champions League, Euro 2016 dhe “Topin e Artë” gjatë këtij viti por duket se “ylli” i Real Madrid kërkon të arrijë edhe më lart, të paktën për sa i përket gjatësisë së trupit. Ronaldo, i cili pak ditë më parë u zgjodh futbollisti më i mirë i planetit për herë të katërt në karrierë, ka qenë gjithmonë shumë i kujdesshëm për imazhin gjatë jetës së tij dhe në disa nga fotografitë e Realit, para fillimit të ndeshjeve, ai ka treguar se ka maninë e theksuar të qëndrojë në majë të gishtave, për t’u dukur më i gjatë, edhe pse është një nga futbollistët më të gjatë te “merengues”, 186 centimetra. 31-vjeçari e ka përsëritur edhe ndaj Club America qëndrimin në majë në gishtave në fotografinë zyrtare para se të fillonte gjysmëfinalja e Botërorit për klube në Japoni. Teksa shokët e tjerë te skuadra e Zinedine Zidane po qëndronin natyrshëm, Ronaldo “i fali” vetes disa centimetra në Yokohama. Këtë veprim portugezi e ka bërë edhe përpara ndeshjeve kundër Liverpool dhe Sporting Gijon, në sezonin e kaluar, si tregojnë edhe fotot e mësipërme. Cristiano Ronaldo shënoi golin e 500-të për Real Madrid, në fitoren 2-0 ndaj Club America.