Tre golat e shënuara mbrëmë kundër Atletico Madridit bënë që Cristiano Ronaldo t’i ketë shënuar plot 63 gola në fazën e eliminimit direkt të garës më prestigjioze në Evropë, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA. Këto gola i shërbyen portugezit edhe për ta barazuar rekordin e rivalit të tij, Lionel Messit, për het-trika të shënuar në Ligën e Kampionëve. Tani, që të dy e kanë arritur shumën prej tetë het-trikeve.
Paraqitja e mrekullueshme e Ronaldos mbrëmë bëri që Juventusi ta përmbysë rezultatin kundër Atletico Madridit, duke fituar me rezultat 3:0. Ky rezultat i kualifikoi italianët në fazën e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.
Atletico ishte edhe më parë viktimë e Ronaldos në Ligën e Kampionëve. Hera e fundit që portugezi kishte shënuar het-trik në këtë garë ishte pikërisht kundër Atleticos.
Edhe pse ky është sezoni i parë i Ronaldos me Juventusit, ai veçse ka arritur ta barazojë rekordin për golashënuesin më të mirë në Allianz në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, duke i shënuar tetë, po aq sa Arturo Vidal.