Cristiano Ronaldo dhe shokët e tij të Juventusit u pritën nga Floyd Mayweather në Arabinë Saudite, të enjten. Bardhezinjtë e festuan me ikonën e boksit fitoren 1-0 të Superkupës së Italisë ndaj Milanit.
Ronaldo vetë ishte autori i golit të fitores, duke i mundësuar “Zonjës së Vjetër” ta fitojë për herë të tetë këtë trofe, një më shumë se kundërshtarët kuqezinj.
Fitorja e së mërkurës shënon medaljen e parë, që Ronaldo fiton si lojtar i Juventusit, që kur erdhi nga Real Madridi verën e kaluar, për një marrëveshje prej 112 milionë eurosh. Para se të urohej nga Mayweather i pamposhtur, portugezi tha se shpreson që ky është fillimi i gjërave të mëdha dhe të mira.
Duke folur për “Rai Sport”, pas fitores, ai tha: “Fituam një ndeshje shumë të vështirë. Ishte shumë ngrohtë për të luajtur në këto kushte. Luajtëm mirë, krijuam shumë shanse dhe padyshim që jam i lumtur që e kam shënuar golin e fitores. Ky ishte gol me vlerë, sepse e filluam vitin 2019 me një trofe.
Kam fituar titullin e parë me Juven dhe jam shumë i lumtur. Megjithatë, ky është vetëm fillimi. E kemi fituar tashmë këtë trofe, por duhet të vazhdojmë të punojmë fort për të arritur një tjetër”.