Me rezultatin 2-1 e ka rikuperuar ndeshjen e mbetur edhe Juventusi, duke e mposhtur 2-1 Napolin.
Zonja e Vjetër fitoi me golat e Cristiano Ronaldos në pjesën e parë dhe të Paulo Dybalas në atë të dytë, që shënoi pas katër minutave në fushë dhe pas rikthimit nga dëmtimi.
Si në ndeshjen Inter – Sassuolo, edhe në këtë takim mysafirët e gjetën golin e nderit në fund të ndeshjes, duke i dridhur për pak vendasit.
Insigne shënoi në minutën e 90 për 2-1 dhe deri në fund, Juve u desh të djersitej më shumë për ta ruajtur rezultatin.
Amir Rrahmani dhe Elseid Hysaj luajtën nga fillimi për Napolin, derisa mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u desh të largohej në pjesën e dytë.
Zonja e Vjetër tani ka shkuar në kuotën e 59 pikëve pas kësaj fitore, 12 më pak se lideri, Interi.