Cristiano Ronaldo nuk do ta ketë imagjinuar një fillim sezoni në këtë mënyrë. Ai nuk ka luajtur katër ndeshjet e para të kampionatit për shkak se ka qenë i skualifikuar. Kështu, ai ka qenë i detyruar ta kënaqë dëshirën e tij për gola në Champions League, ku ka realizuar katër në dy ndeshje. Gjërat nuk kanë shkuar po kaq mirë në kampionat, me portugezin që nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në dy ndeshjet e para që ka luajtur me Real Madrid. Kjo do të thotë se ai është 90 minuta larg nisjes së tij më të keqe në kampionatin spanjoll.
Ronaldo e ka luajtur ndeshjen e parë të kampionatit kundër Betis, duke mos arritur të transformonte në gol asnjë nga 12 goditjet e bëra drejt portës. Më pas ka ardhur sfida me Alaves, në të cilën ai çuar në kuadrat vetëm 2 nga 8 gjuajtjet e bëra, pa shënuar. Kurrë, që nga momenti që ka shkuar te Real Madrid, nuk kishte ndodhur që ai të mos shënonte në ndeshjet e para të kampionatit, por në sezonin 2010-11 Ronaldo ka shënuar kundër Sociedad pasi kishte dështuar ta bënte një gjë të tillë në dy ndeshjet e mëparshme kundër Mallorca dhe Osasuna.
Më pas në sezonin 2012-13 ai e ka shënuar golin e parë në ndeshjen e tretë të La Liga-s kundër Getafe dhe në vitin pasardhës është zhbllokuar kundër Atheltic Bilbao-s në ndeshjen e tretë të kampionatit. Hera e fundit që portugezi nuk ka arritur të shënojë në dy ndeshjet e para ka qenë dy vite më parë, kur nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës kundër Sporting Gijon dhe Real Betis, por ka shënuar kundër Espanyol, kundërshtari i radhës i Real Madrid në kampionat.