Ronaldinho, një ish-lojtar i Barcelonës shprehet se fitorja 1-0 që skuadra katalanase arriti në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League ndaj Manchester United në “Old Trafford” është një rezultat pozitiv. Gjithsesi, braziliani i trembet një rikthimi të mundshëm të “djajve”, që i kanë të gjitha mundësitë të rikuperojnë në ndeshjen që luhet në “Camp Nou”.
Ndaj Ronaldinho këshillon trajnerin Valverde dhe skuadrën që të kenë kujdes. “Kam besim te Barcelona, por jo tek United. Nëse Manchester do të shënojë gol i pari, atëherë stadiumi do të bëhet nervoz dhe nuk mund ta imagjinoj atë që do të ndodhë më tej. Ky nervozizëm mund të transferohet te lojtarët në fushë dhe kjo nuk është gjë e mirë”, tha Ronaldinho për “As”.
“Anglezët besojnë ende te fitorja, ndaj do të kishte qenë më mirë për barçën që ta kishte mbyllur kualifikimin që në ndeshjen e parë. Gjithsesi, unë shpresoj që katalanasit t’ia dalin mbanë dhe të kualifikohen më tej. Unë kam besim, duke parë mënyrën se si luan skuadra e Barcelonës dhe faktit që shënojnë shumë gola”, u shpreh Ronaldinho.