Ronaldinho beson se Lionel Messi nuk pati nevojë për asnjë lloj ndihme nga ai gjatë fillimit të karrierës së tij në Barcelonë. Fituesi i Kupës së Botës 2002 arriti në Camp Nou në vitin 2003 dhe ishte në klub gjatë kohës kur Lionel Messi si adoleshent kishte filluar të punonte me ekipin e parë të Barcelonës, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Pasi e kishte asistuar golin e parë të Messit si profesionist, Ronaldinho arriti ta krijojë një partneritet mbresëlënës me Messin në fazën e sulmit. Megjithatë, braziliani ka insistuar në një intervistë se ai s’kishte nevojë të ndikonte te Messi, përkundër që dukej se po i ndihmonte të përshtatej në skuadër.
“Kur unë erdha në Barcelonë, flitej për një fëmijë që veçohej nga të tjerët. Pastaj u bëmë shokë, filluam të luajmë bashkë dhe shkonim shumë mirë” ka thënë Ronaldinho.
“Ai erdhi duke qenë ndryshe nga të tjerët dhe ne shkuam e i thamë Frank Rijkaard ta sjellë atë të stërvitet me ne. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Unë isha me fat që e bëra pasimin për golin e tij të parë. Me kalimin e kohës, është shumë mirë ta shohësh dikë që e ka nisur karrierën përkrah teje dhe pastaj e sfidon gjithë botën”, shprehet Ronaldinho.
“Ne ishim gjithmonë shumë të afërt. Ne mësuam shumë gjëra, ai më mësonte spanjisht dhe unë ia mësova gjuhën portugezë. Por, me topin në këmbë, ne e kuptonim njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur. Unë mahnitesha nga qetësia e tij. Këtë gjë e dua shumë të ai. Ai nuk e fut kurrë veten në telashe, është gjithmonë me familje dhe me të afërmit. Leo ka gjithçka. Atij s’i duhej asgjë nga unë”, përfundoi rrëfimin e tij Ronaldinho.
Ronaldinho i kaloi pesë sezone në Barcelonë dhe gjatë asaj kohe i fitoi dy tituj të La Ligës.