Romët s’i njeh as drejtësia

Omer XHAFERI

Shkup, 26 tetor – Pjesa dërmuese e komunitetit rom në Maqedoni, gjatë procedurave penale pranë gjykatave themelore në vendin tonë, pothuajse fare nuk kanë përfaqësues ligjore (avokat). Njëherësh, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, ata nuk kanë mundësi t’i sigurojnë dëshmitë dhe provat e mjaftueshme për procedurat gjyqësor që zhvillohen kundër tyre. Këto konstatime janë publikuar në analizën e fundi të Qendrës për hulumtime dhe analiza juridike, me titull “Pozita e komuniteti rom në procedurat penale”, ku mes tjerash thuhet se institucionet ndaj kësaj pjesë të shoqërisë, duhet të kenë trajtim të posaçëm, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për ndihmën juridike.

“Diskriminimi ndaj romëve mund të haset në veprimet e policisë, me çka ekziston zbrazëtirë e madhe e hetimeve serioze-efikase, për pretendimet e brutalitetit policor. Nga numri i përgjithshëm i aktgjykimeve të cilat Gjykata Evropiane i ka miratuar kundër Republikës së Maqedonisë, në të cilët është konstatuar mungesa e hetimeve efikase dhe efektive të Prokurorisë, pothuajse 50 për qind prej këtyre aktgjykimeve i dedikohen romëve, të cilët në masë të madhe janë ankuar për tejkalimin e kompetencave nga policia dhe përdorimi i tepruar i forcës”, thuhet në njërin prej shumë konstatime të kësaj Analize juridike.

Gjatë prezantimit të analizës, përfaqësuesi i Qendrës për hulumtime dhe analiza juridike, Oliver Mitov, profesoresha e të Drejtës procedurale penale, Gordana Lazhetiq Buzharovska dhe avokatja Allma Mustafovska Salimovska, thanë se në instanca gjyqësor parimi i përfaqësimit të drejtë, kur është fjalë te romët është tejet i ulët, por mos të thënë diskriminues. Sipas këtyre të dhënave, në sistemin e gjykatave në Maqedoni, është i punësuar vetëm një gjykatës rom dhe asnjë prokuror, respektivisht nëpër gjykatat e vendit duhet të punësohet minimum 16 gjykatës dhe 18 prokurorë. Me qëllim mënjanimin e këtyre shkeljeve, nga Qendra për hulumtime dhe analiza juridike, rekomandojnë që diskriminimet e natyrave të ndryshme pranë gjykatave të vendit, kur bëhet fjalë për persona nga komuniteti rom mund të detektohet vetëm me monitorimin e procedurave paraprak dhe atyre gjyqësor. Ndërkohë, në analizën e prezantuar të mërkurën, propozohet përmirësimi i mekanizmave për pranimin e ndihmës falas juridike, respektivisht rekomandohet që këtij komuniteti t’i lehtësohet qasja deri te ndihma falas juridike, si dhe mundësimi i përkthimit në gjuhën amë gjatë kohës kur ata përballen me procedura gjyqësore. Ndryshe, duke e respektuar parimin e barazisë, me qëllim arritjen e mbrojtjes efikase nga diskriminimi, në analizë “Pozita e romë në procedura penale”, rekomandohet nisja e një procesi të edukimit dhe vetëdijesimit të nëpunësve policor, prokurorëve publik, punëtorëve social, por jo edhe të gjykatësve, gjatë rasteve kur ata të ballafaqohen me pjesëtarë të këtij komuniteti. (koha.mk)