Romët kanë fituar 0.006% për kulturë

Shkup, 28 shkurt – Etniteti rom ka marrë vetëm 0.006 për qind nga buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës për realizimin e projekteve për këtë vit.

Kryetari i Qendrës Nacionale rome, Ashmet Elezovski, thotë se kjo paraqet skandal të pa parë, sepse paratë nuk janë ndarë në mënyrë të barabartë, ndërsa nga 2.500 projektet e miratuara për gjysmën prej tyre nuk dihet kush dhe përse i ka fituar dhe se si do ti realizojë ato projekte, njofton Koha.

“Për një festival fëmijësh për romët janë miratuar vetëm 30.000 denarë, ndërsa vazhdimisht thuhet se fëmijët janë ardhmëria ynë, ndërsa për punë tjera të pa rëndësishme jepen mbi 300.000 denarë, që paraqet revoltë. Madje, ka projekte të tilla që nuk i përkasin realitetit. Ne romët marrim mbështetje prej vetëm 0.006%. për këtë shkak të rinjtë na ikin prej shteti”, thekson Elezovski.

Ai është i pa kënaqur që Ministria e Kulturës nuk ka dhënë përkrahje për shënimin e veprës së Esma Rexhepovës, ndërsa i revoltuar me përkrahjen e pamjaftueshme të institucioneve për zgjidhjen e problemeve të përditshme të bashkësisë rome.

“Nuk e di për cilën arsye politikanët dhe intelektualët rom heshtin ose nuk janë, koha do të tregojë përse është kështu”, tha Elezovski.