Romeo: Anulimi i datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut me BE-në është gabim historik

Shkup, 18 nëntor – Shtyrja e datës për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian është gabim historik. Italia do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj që ta përmirësojë këtë gabim dhe vendi juaj të fillojë me negociatat sa është e mundur më shpjet, tha sot ambasadori i Republikës së Italisë në vend, Karlo Romeo në debatin “Unë e zgjedh Evropën: Çfarë pas tetorit të 2019? Sfidat për rrugën evropiane të Republikës së Maqedonisë të Veriore”, që u mbajt në organizim të Shoqatës Federalistët e rinj evropian – Maqedoni – XHEF Maqedoni në Shkup.

Ambasadori italian vlerëson se vendi nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës evropiane, ndërsa siç tha , qëndrimi i Italisë në lidhje me procesin tonë për marrjen e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian gjithmonë ka qenë i qartë, i hapur dhe i sinqertë.

“Italia do të bëjë gjithçka është në fuqinë e saj për ta përmirësuar gabimin sa më parë dhe ta lë dritaren hapur për Maqedoninë e Veriut. Si Italia, ne duam ta fillojmë procesin e hapjes së negociatave. Jemi të hapur për shqyrtimin e mundshëm të mundësive të mekanizmit dhe metodologjinë e negociatave. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Komisionin Evropian, për t’i tejkaluar dallimet dhe të marrim vendim pozitiv sa më shpejtë”, tha Karlo Romeo.

Përkujtoi se periudhën e kaluar në Itali është mbajtur një takim i rëndësishëm midis kryeministrit Zoran Zaev dhe kryeministrit italian Xhuzepe Konte, por gjithashtu e përmendi edhe takimin që e kanë pasur presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe presidenti italian Serxho Matarela.

Sqaroi se në takimet Italia e ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme.

“Italia është e hapur për diskutim për formën e re të metodologjisë, për mënyrën e negociimit dhe kushtet por megjithatë nuk dëshirojmë që metodologjia e re të transformohet në një lloj preteksti që të anulohet hapja e negociatave me vendet anëtare të reja potenciale. Prandaj nuk duhet të ketë anulim. Vlerësojmë se të gjitha proceset mund të zhvillohen në mënyrë paralele. Shpresoj se Shkupi dhe Tirana për periudhë shumë të shpejtë do t’i fillojnë negociatat inkuadruese me BE-në”, shtoi ambasadori.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Popov, i cili mori pjesë në panel diskutimin e sotëm, tha se ne si shtet duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë të fillojnë negociatat inkuadruese. Sipas tij, duhet të punojmë në vend dhe jashtë vendit, gjegjësisht duhet të drejtohemi nga përmirësimi i reformave.

Por edhe të bashkëpunojmë me shtetet e rajonit.
Ai theksoi se thjeshtë, nuk kemi plan B. Për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, sipas tij, konsesus kanë të gjitha partitë politike kryesore në vend por edhe qytetarët.

“Vlerësoj se jemi në rrugë të drejtë për intensifikimin e dialogut politik dhe ekonomik. Ne duhet të shpjegojmë se pse është mirë jo vetëm për shtetin por edhe për popullin të fillojnë negociatat. Në fund të ditës, reformat nuk janë për Bashkimin Evropian, por janë për ne, që ne të kemi shoqëri më të mirë. Nuk dëshirojmë anulim apo kushte plotësuese”, potencoi Popov.

Ai shtoi se marrja e datës për fillim të negociatave është mirë edhe për ne edhe për rajonin, por edhe për Bashkimin Evropian, sepse kjo do të sjellë stabilitet për të gjithë.

Kryetari i Këshillit nacional për eurointegrime, Nikolla Poposki, i cili gjithashtu pati paraqitje të tij gjatë debatit, theksoi se nëse kemi interes të përgjithshëm për perspektivë afatgjate të vendit, atëherë konsideron se nuk duhet të rishqyrtojmë para dhe pas nëntorit të vitit 2019.

“Titulli i debatit është ‘Çka pas tetorit 2019?’, por konsideroj se nuk duhet të bëjmë ndarje të këtillë. Përse? Sepse ky nuk është rrëfim që fillon në vitin 2019, ai zhvillohet tashmë me vite prapa. mendoj se ne jemi, sipas të gjitha gjasave, një nga vendet më me përvojë, e dimë rrëfimin, i dimë të gjitha metodologjitë dhe ndryshimet në inkuadrime. Prandaj kur dikush do të na pyesë, çka do të bëjmë nesër, ne jemi mjaft me përvojë që të dimë se procesi i negociimit do të vazhdojë. Politikanët ndryshojnë, metodologjia ndryshon, por procesi do të vazhdojë në këtë apo në mënyrë tjetër”, tha Poposki.(koha.mk)