Te Roma nuk dorëzohen, derisa lojtarët nuk e fshehin besimin në lidhje me mundësinë që ekipi i tyre të përmbysë disavantazhin e rëndë 5-2 nga ndeshja e parë
Pritja për gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve mes Romës dhe Liverpulit mori fund. Ndeshja kthyese zhvillohet sonte (e mërkurë) në “Olimpico”, aty ku më 10 prill ndodhi mrekullia, kur Roma përmbysi negativën me Barcelonën nga ndeshja e parë prej 4-1 dhe po në këtë stadium arriti fitore me 3-0 dhe në fund të plasohet në gjysmëfinale. Derisa, tani kundër Liverpulit është ndryshe, pasi skuadra romake do të tentojë të përmbysë negativën nga ndeshja e parë kur u mund me disavantazin e thellë 5-2.
Te Roma nuk dorëzohen, derisa lojtarët nuk e fshehin besimin në lidhje me mundësinë që ekipi i tyre të përmbysë disavantazhin e rëndë 5-2 nga ndeshja e parë. Ndërkaq, besimin për një përmbysje eventuale nuk e fsheh edhe portieri i Romës, Alisson Beker. “Ne e dimë forcën tonë të vërtetë”, – tha braziliani. “E dimë se nuk është publiku, si lojtar i dymbëdhjetë, që në shtëpi nuk ka munguar kurrë, ai që mundi 3-0 Çellsin dhe Barcelonën. Natyrisht, mbështetja e madhe e tifozëve na jep siguri, ndaj mendoj se kemi 50 për qind shans për ta kaluar raundin”, shtoi më tej numri një i Romës. Alisson ndien rrezik përsëri, sepse do të ketë përballë një ish, Mohamed Salah. “Është e vështirë, – ka pranuar Alisson. – Ai ka talent të natyrshëm dhe tani ka një vetëbesim të jashtëzakonshëm, por ne mund ta ndalojmë duke luajtur si ekip. Messi është lojtari më i mirë, ndaj të cilit kam luajtur, por tani nga ‘Momo’ duhet të kemi frikë si nga argjentinasi”, deklaroi Alisson.
Derisa, për sfidën e sotme ka folur edhe Stefan El Shaaravy. “Do të na duhet një tjetër arritje si ajo kundër Barcelonës dhe kemi treguar se mund t’ia dalim. Duhet të gabojmë sa më pak, sepse Liverpuli të ndëshkon, por edhe Barcelona njëlloj ishte. Nuk e di nëse do të jem titullar, moduli nuk ka shumë rëndësi, por përkushtimi i futbollistëve. Salah ka pasur një shpërthim të jashtëzakonshëm sivjet. Jam i lumtur për të sepse është një djalë i artë dhe kujdeset për çdo detaj. Punon shumë dhe e meriton”, deklaroi El Shaaravy.
Në anën tjetër, ka folur edhe trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp. “Ne krijuam një bazë dhe tani duhet të mbarojmë. Ka disa gjëra për të bërë. Le të luajmë ndeshjen e ardhshme, të përpiqemi të bëjmë më të mirën, atëherë do të shohim”, deklaroi Klopp.
Ndryshe, Klopp në “Olimpico” do të jetë pa katër lojtar, Aleks Okslade Çembërlejn, i cili pësoi një lëndim në ndeshjen e parë, pastaj Adam Lallana, Emre Xhan dhe Joel Matip. Në anën tjetër, trajneri i Romës, Di Françesko nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Diego Peroti, i cili ka të lënduar kyçin e këmbës, ndërsa në dyshim është Kevin Strotman.