Pas humbjes 1-3 në “San Siro”, kundër Fiorentinës, gishti i akuzës është i drejtuar nga trajneri Marco Giampaolo. Sidoqoftë, drejtuesit e “Djallit” kërkojnë unitet dhe dëshirë të të gjitha palëve për të ecur përpara. Nuk del nga rreshti Alessio Romagnoli, kapiteni i Milanit, që në emër të grupit garantoi mbështetje maksimale ndaj Giampaolos.
“Nuk ka shumë për të thënë në këto raste, vetëm duhet të jemi bashkë. Ekipi nuk duhet të heqë dorë kurrë. Ne jemi me trajnerin deri në vdekje”.
24-vjeçari siguroi se grupi kuqezi është me trajnerin. Në emër të lojtarëve ai mori përgjegjësinë për momentin negativ, që skuadra po kalon:
“Ne i marrim të gjitha përgjegjësitë, sepse faji është vetëm i yni. Rezultoi shumë keq në ndeshjen e fundit, nuk e prisnim. Pas performancës në Torino menduam se do të bënim një hap tjetër përpara, por nuk ishte kështu. Ne jemi me trajnerin, kjo është e padiskutueshme. Shpresojmë që ndeshja tjetër të jetë më e mirë. Është koha që të përveshim mëngët në stërvitje, të qëndrojmë të gjithë së bashku”.