Nga presidenti Pallotta tek drejtori sportiv Monchi, për të vazhduar me trajnerin Di Francesco: të gjithë janë nën akuzë te Roma, për një start sezonal mjaft zhgënjyes.
Tashmë tifozët po u kthehen edhe lojtarëve dhe të hënën në shënjestër përfundoi Steven Nzonzi, mesfushori i blerë me bujë këtë verë. Kampioni i botës postoi në Twitter një mesazh për të reklamuar faqen e tij në Snapchat dhe gjeti momentin më të keq të mundshëm, sepse drejt tij vërshuan ofendimet.
Një ditë pas Nzonzi-t e ka pasur radhën Edin Dzeko, sulmuesi boshnjak që ka vite që është idhull në Romë, për shkak të besnikërisë ndaj klubit dhe rendimentit konstant në fushë.
Megjithatë, tërbimi i tifozëve nuk lidhet me paraqitjet në fushë, por me një veprim të Dzeko-s, i cili ndryshe nga shokët e skuadrës, që përfunduan në grumbullim të detyruar si ndëshkim për humbjen në Bologna, udhëtoi për në Milano për të marrë pjesë në Javën e Modës, i ftuar nga Dolce & Gabbana.
Në fakt Dzeko e kishte programuar me kohë udhëtimin në Milano, me aprovimin e klubit, ndërsa u nis sapo mbaroi ndeshja në Bologna dhe vetëm më vonë u njoftua për grumbullimin e skuadrës, por pak rëndësi ka për tifozët, që e kanë kritikuar ashpër në rrjetet sociale dhe ndoshta në ndeshjen e mesjavës kundër Frosinone-s do ta kontestojnë ashpër.