E përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport” ka zbuluar sot edhe Roma është interesuar për Mauro Icardin, duke qenë se mund të përfshihet në tratativat për kalimin e Edin Dzekos te Interi, por sipas “Sky Sport” e vërteta është krejt ndryshe.
Klubi verdhekuq, që pa Champions League, do të duhet që të shesë disa futbollistë dhe nuk mund të bëjë investime të çmendura, duke përfshirë edhe rrogën, ka mbetur i befasuar nga lajmi, pasi nuk janë interesuar për argjentinasin.
Përkundrazi, ka qenë Interi që e ka propozuar, por diskutimi është mbyllur aty, duke qenë se kostot janë të larta. Icardi kushton 80 mln euro dhe Roma nuk mund të paguajë kurrësesi për vetëm një lojtar aq para, pa harruar që Icardi kërkon 8 mln euro rrogë, që nuk janë pak.
Në anën tjetër, Wanda Nara, agjentja e sulmuesit, vazhdon të publikojë mesazhe, fotografi dhe të shprehë dëshirën për burrin e saj, për të qëndruar te Interi, pikërisht tani që erdhi Conte dhe që Suning do të investojë fuqishëm. Megjithatë, në skemat e Contes, Icardi nuk figuron aspak.
Jo më kot, po kërkohet Lukaku dhe Dzeko. Vetëm nëse nuk do të arrihet te njëri nga të dy, atëherë sigurisht që Icardi do të qëndronte. Ndryshe, duket e pamundur: Icardi, Dzeko, Lukaku dhe Lautaro Martinez janë një lluks për çdo ekip në botë.