Roma mposht Lazion në derbi dhe i merr vendin e katërt

16

Derbi kryeqytetas ka folur për verdhekuqtë, që kanë arritur të mposhtin Lazion me rezultatin 2-1. Gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, që ndryshe nga 45-minutëshi i parë, ishte vërtetë spektakolare dhe e ndezur. Perotti dhe Nainggolan shënuan për verdhekuqtë, ndërsa Immobile këtë herë nuk i mjaftoi bardhekaltërve.

Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndonëse rastet nuk munguan. Immobile dërgoi topin në rrjetë pas vetëm 4 minutash lojë, por arbitri anësor akordoi pozicion jashtë loje. Në minutat në vijim, Roma, e mbështetur nga publiku, u shfaq më kërkuese dhe efikase, ndërsa krijoi edhe 2-3 raste të rrezikshme, por portiere lacial Strakosha, u shfaq në lartësinë e detyrës.

Pjesa e dytë fillon me një ritëm krejt tjetër, me verdhekuqtë që hidhen tërësisht në sulm dhe vënë nën presing lacialët. Në minutën e 49’, Roma fiton një 11 metërsh, të cilin e ekzekuton Perotti dhe e dërgon në rrjetën e Strakoshës, pavarësisht se ky i fundit gjen krahun e goditjes.

Vetëm 3 minuta më pas, Roma dyfishon avantazhin, me një supergol të belgut Nainggolan, që mposht Strakoshën, me një goditje nga distanca. Lazio e Inzaghit nuk pajtohet kurrsesi me humbjen në derbi dhe fillon të spostojë lojën në gjysmë-fushën e Romës, ndërsa në minutën e 72-të fiton edhe një 11-metërsh, të akorduar nga gjyqtari, vetëm pas konsultimit me sistemin VAR.

Penalltinë e ekzekuton Immobile, që mposht portierin Alison dhe rihap sfidën. Minutat e fundit janë mjaft të tensionuara, me lacialët që duan të barazojnë dhe verdhekuqtë që tentojnë të vonojnë sa më shumë lojën. Arbitri i 4-t akordon 6 minuta shtesë, por Lazio nuk arrin të krijojë asnjë rast për të marrë barazimin dhe sfida mbyllet me fitoren e verdhekuqve.

Pas kësaj fitoreje, Roma shkon në kuotën e 30 pikëve dhe i merr Lazios vendin e 4-t të renditjes.

 

Comments are closed.