Roma nuk e ka nisur si duhet kampionatin, pasi arriti të grumbullojë vetëm dy pikë në dy javët e para, duke shfaqur probleme të shumta veçanërisht në repartin e mbrojtjes, ku ka pësuar plot 4 gola dhe po kaq herë ka shpëtuar nga shtyllat.
Megjithatë verdhekuqtë morën mbrojtësin anglez Chris Smalling për prapavijën, ndërsa po punojnë për të afruar edhe një emër të bujshëm po nga Premier League, në orët e fundit të merkatos.
Bëhet fjalë për yllin armen të Arsenalit, Henrikh Mkhitaryan, i cili pritet të vijë në kryeqytetin italian me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për shifrën e 15 milionë eurove, teksa klubet po diskutojnë detajet e fundit.
Fantazisti 30-vjeçar nuk shihet më si titullar nga Unai Emery dhe ka kërkuar largimin nga “topçinjtë”, ndërsa për vetë eksperiencën që disponon, do të ishte një vlerë e shtuar për Romën e mbushur me futbollistë të rinj të talentuar.
Mkhitaryan ka një karrierë vërtetë të pasur, pasi më herët ka veshur edhe fanellat e Shakhtar Donetsk, Borussias së Dortmundit e Manchester Unitedit, ndërsa është edhe një lider i përfaqësueses së Armenisë.