Rrëfenjë nga jeta: gruaja merr ndihmë sociale me vite, ndërsa buri i saj, për dy ditë punë private si punëtor fizik ka realizuar në llogarinë e transaksionit 2000 denarë dhe Qendra Sociale i kërkon gruas të kthejë gjithë ç’ka marrë me vite! Një tjetri ia kanë ndërprerë ndihmën për shkak se ka dituar një lojë shpërblyese?
Nga Daut DAUTI
Më lajmërohet një ditë një farefise jo e largët(për lexuesit personazhin e këtij rrëfimi do ta quaj “Zonja H.). “Jo e largët”, por jeta, megjithatë, na largon. E takoj veç për bajram, sa mos të largohet tërësisht gjaku, që fëmijët e saj të mos i takoj në rrugë e të mos dinë se kush çka është. Por, thirrja telefonike, me zërin e saj dramatik, më thoshte se ka një hall. “A ke ndonjë ‘të njohshëm” në ‘socijalno’ ?” më thotë. Më sqaroi menjëherë se ia kanë ndërprerë ndihmën sociale, prandaj më luti që nëse njoh dikë të mund t’i ndihmojë. Nëse nuk ka pengesa, mund të të ndihmojë gjithkush, vetëm duhet lutje ose ankesë për rastin, i them në hava, pa e ditur shkakun e ndërprerjes së ndihmës.
Kur më sqaron se përse ia kanë ndërprerë dhe pastaj ndalem dhe e analizoj, s’ka si të mos e quaj banal dhe të pakuptimtë. Dhe që bie ndesh me gjithë politikat e deklaruara të qeverisë për mirëqenien e qytetarëve por dhe të politikave sociale në veçanti.
Ajo prej disa vjetësh ka marrë ndihmë sociale prej rreth 3000 denarësh për shkak të problemeve shëndetësore (person me invaliditet) por dhe për shkak të pozitës së vështirë ekonomike(asnjë të punësuar në familje). Sa hyri në fuqi ndihma sociale mbi 10.000 denarësh, asaj i gjejnë një shkas formal për t’ia ndërprerë. Thashë se është rasti banal dhe ja: burri i saj, para dy vjetësh qenka angazhuar nga një firmë për të kryer disa punë hamallëku dhe në llogarinë e tij, për dy ditë punë, i paska lëshuar 2000 denarë! Kjo për Qendrën për Punë Sociale qenka “argument” se familja e Zonjës H. paskan “të ardhura plotësuese”, që domethënë, dhe me këtë, nuk i plotësojnë kushtet e parapara me ligj! Për dy vjet, 2000 denarë “të ardhura plotësuese”!
Vini re: nuk është dëmi më i madh ndërprerja e ndihmës sociale, por Zonjës H. Qendra për Punë Sociale e komunës së saj i kërkon që ta kthejë gjithë ndihmën që ka marrë viteve të fundit, hiq më pak por 100.000 denarë!!! T’i kthejë 100.000 denarë pse burri i saj ka realizuar privatisht dy mëditje!!!
Nuk i di këto aspekte formale, ndaj dhe unë e mora telefonin dhe iu drejtova një miku. Ai nuk u çudit shumë për këtë por më tregoi një rast tjetër, të cilit ia kanë ndërprerë ndihmën sociale për shkak se paska fituar nja 200 euro në një lojë shpërblyese(në emision televiziv), pagesa e së cilës është bërë përmes llogarisë së tij të transaksionit…Me gjithë ankesën, thotë miku që i di mirë këto punë, edhe pse thotë se janë absurde, nuk ia kanë kthyer ndihmën sociale, sepse kështu janë rregullat! Një tjetër rast që e përshkruan absurdin e normave të këtilla, është kur një “socialci” vëllai i tij i çon nga jashtë nja 100 euro përmes Uestern Unionit dhe UJP-ja(Drejtoria e të Ardhurave Publike-DAP) jonë e regjistron transaksionin e bërë në emër të tij dhe pas një kohe nga Qendra për Punë Sociale merr vendimin për ndërprerje të ndihmës sociale për shkak të “burimeve plotësuese”! Po t’i kishte dërguar vëllai i tij para në kesh që nuk do të regjistroheshin askund, ai do ta kishte ende ndihmën sociale! Domethënë, në vend se transaksionet të jenë nën kontroll, ligji të mëson se si të bësh transaksione gri për të mos pasur ndonjë pengesë apo për të mos humbur ndonjë të drejtë për transaksione minore që nuk e përmirësojnë aspak pozitën sociale të ndonjë familje.
Unë po e lë anësh anën juridike, po mundohem ta shikoj anën logjike të të këtyre normave. Mua më duket e palogjikshme që dikujt t’i jepen 3000 denarë ndihmë që të mbajë familjen duke ia kufizuar madje të drejtën që ndonjë anëtar të realizojë ndonjë fitim qoftë edhe privatisht. Më duket e palogjikshme që ligjvënësi të parashohë dhënien e ndihmës me pretendim që vetëm me ndihmë të mbajë familjen! Ku jeton ligjvënësi, në ç’kohë dhe në ç’hapësirë e në ç’shoqëri dhe me çfarë kategorie qytetarësh…
Është një hap i madh i kësaj qeverie që shumën simbolike prej 3000 denarësh ta rritë në mbi 10.000, por duhet ditur se as me aq nuk mbahet familja, që dikush të ndëshkohet dhe të lehet pa atë ndihmë dhe t’i kërkohet kthimi i të gjitha ndihmave vetëm pse brenda 2-3 vjetëve të fundit, bashkëshorti i saj (që po ashtu bie në një nga kategoritë e ndjeshme), ka realizuar privatisht dy mëditje! Në mënyrë indirekte, e shtyn qytetarin që të bëjë shkelje, dhe punën që e ka kryer në një firmë, pa u evidentuar askund!
Ja, kjo është ajo palogjikshmëri. Ja, për këso cikërrimash juridike, ua prishin rehatinë vdekatarëve të rëndomtë, atyre që janë kategoria më e ndjeshme!
Ndërsa mbështetja e kësaj kategorie ka dhe dimensionin e drejtësisë sociale, një parim që e ndjekin shumë shoqëri të konsoliduara, çfarë pretendon të jetë edhe kjo e jona. Paramendoni zonjën H., e cila njërën këmbë e ngreh zhag dhe vite me radhë me dy duart e saj të shkathëta si “maqinxhikë” (rrobaqepëse) ka mbajtur familjen, tash, në të pesëdhjetat e saj, nuk mundet si më parë t’iu përgjigjet kërkesave, sepse është e dërmuar fizikisht. Dhe asaj i vjen vendimi t’i kthejë 100 mijë denarë, sikur ajo t’ia ketë vjedhur shtetit.
Në anën tjetër, ke të tillë, plaçkitës të vërtetë të shtetit, të cilët vite me radhë dalin me kollare nëpër gjyqe, herë i fusin nëpër paraburgime, herë në burg shtëpiak, dhe në fund marrin ndonjë dënim pa ndëshkim të vërtetë, ose i lirojnë në “mungesë faktesh”! Paratë e shtetit mbeten në llogaritë sekrete nëpër ndonjë Belyze, prej nga askush nuk mund t’i marrë. Ndërsa Zonjës H.nëse nuk i kthen paratë që i ka marrë se i kanë takuar dhe i ka ngrënë hallall me fëmijët e vet, nëse tash nuk i kthen(sepse ashtu shkruan në vendim, se ankesa nuk e shtyn ekzekutimin!), do t’ia dërgojnë në shtëpi një përmbarues i cili do të bëjë regjistrim të orendive shtëpiake dhe atë që shteti ia ka shpallur si borxh, ta kthejë përmes ndonjë aparati shtëpiak, lavatriçe, shporeti, televizori…duke e turpëruar të gjorën para fqinjëve të saj, sikur të ishte vjedhësja më e madhe e shtetit!
Këtë rrëfim bizar nga jeta nuk e rrëfeva se dua të akuzoj organin përkatës pse nga Zonja H.i kërkon prapa paratë që ia ka dhënë si ndihmë sociale. Ndoshta organi përkatës vepron në mënyrë strikte sipas normave ligjore apo nënligjore. Këtë shkrim e bëj me shpresë që ta lexojnë ata që i shkruajnë ligjet, për të parë gabimin që u është përvjedhur, se nuk guxon që për një plesht të digjet gjithë jorgani.
Këto janë disa “kleçka” në normativën ligjore ose nënligjore që duhet korrigjuar patjetër që të mos u shkaktojnë telashe kategorive më të ndjeshme sociale, sepse qytetarët mund t’i kuptojnë sikur të jenë vënë qëllimisht pikërisht që t’ua nxjerrin për hunde?!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)