Roland Gjergji është nga Shkodra dhe vjen nga një familje artistësh e kjo trashëgimi ka arritur deri tek ai. Në moshën 9-vjeçare nisi të këndojë, por më vonë duke luajtur ndonjë pjesë të shkurtër në piano, ai u apasionuar pas tingujve melodik të saj. Ky ishte motivi që për njëfarë kohe mori leksione profesionale për piano e me pas për disa vite me rrallë mësoi në mënyrë profesionale për të perfeksionuar instrumentin që ai ushtron me shumë pasion edhe tani, pianon (organon). Sot ai është një instrumentist i shkëlqyer i cili performon me profesionalitet në gëzime të ndryshme familjare. Flasim më gjerë më Rolandin në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA.
KOHA: Na bëj një prezantim kronologjik të njohjes tënde me muzikën në përgjithësi, dhe atë popullore në veçanti. Ku po punon aktualisht?
E kam nisur muzikën që i vogël, fillimisht si një dëshirë fëmijërore, por pastaj, me ndihmën e babait dhe motrës sime, Rrok dhe Gentjana Gjergji, që janë këngëtarë prej vitesh, ajo u bë pjesë e pandarë imja! Fillimisht duke kënduar ndonjë këngë, pastaj duke luajtur pjesë të shkurtra në piano. Pas njëfarë kohe, fillova të merrja leksione pianoje dhe pas përfundimit me sukses të studimeve për piano, fillova të angazhohesha në gëzime familjare, Koncerte,dhe mbrëmje të ndryshme rinore.
KOHA: Sa i lidhur je me instrumentin, nëpërmjet të cilit përfaqësohesh, atë të pianos?
Të them të drejtën, jam shumë i lidhur! E zgjodha këtë instrument për dy arsye. E para, për ëmbëlsinë që përcjell te publiku me anë të tingujve, dhe e dyta, që si grup i unifikuar me babain dhe motrën t’a percjellim 100% energjinë pozitive tek publiku dhe jo për t’u mburrur por në bazë të eventeve që janë çdo vit e me të shumë them se ia kam arritur.
KOHA: Me cilën nga punët e tua, pjesë që ke orkestruar apo realizuar, ndihesh më i lidhur?
Çdo pjesë që realizohet, ka bukurinë e saj, por më të veçanta janë ato që publiku m’i komplimenton, duartroket dhe entuziazmohet me notat që gishtat e mi prekin në piano (organo)
KOHA: Me kë bashkëpunon më shumë për të realizuar punën tënde?
Bashkëpunoj me kolegë të ndryshëm, por më kryesorët janë grupi im, babai dhe motra, që përbëjnë dhe boshtin kryesor të punës sime.
KOHA: Është e dukshme që me Gentjanën jeni shume të lidhur jo vetëm vëlla e motër por dhe në aspektin profesional apo jo? Si konkretisht bashkëpunoni në muzikë?
Po, është e vërtetë! U bënë vite qe jemi kudo në evente bashkë dhe ja njoh aftësitë e padiskutueshme vokale dhe shijet e saj muzikore prandaj dhe sugjerimet dhe idetë e mija janë pranuar pa asnjë kundërshtim në këngët e fundit të saj. Po ashtu me kërkesën e saj mundohem t’i heq sadopak atë ngarkesën e menaxhimit të agjendës së eventeve.
KOHA: Dimë që ke punuar në shumë vende në Europë e tashmë edhe në SHBA. Ku saktësisht?Si je ndier atje?
Kam performuar në Zvicër, Belgjikë, Itali,Gjermani e shumë vende të tjera, sepse kam pasur oferta shumë të mira për të qenë prezent në klube dhe apo evente të ndryshme të organizuara prej tyre. Në SHBA kam qenë në një periudhë shumë të volitshme para disa kohësh, bashkë me motrën time dhe Jam shumë i kënaqur nga pritja që na bënë atje, u ndjemë si në shtëpi!
KOHA: Projektet e tua për të ardhmen?
Kam shumë projekte në mendje dhe uroj t’i realizoj. Më të afërtat, janë disa gëzime familjare dhe mbrëmjet festive, në të cilat do performoj së shpejti dhe disa projekte së bashku me grupin që po i lë surprizë. (B.R)