Novak Djokovic përballë Rafael Nadal në gjysmëfinale. Është zbuluar këtë të Premte shorti i edicionit numër 116-të Roland Garros, grand-slamit të dytë të vitit. Numri 2 i Botës serbi Novak Djokovic dhe njëkohësisht kampioni në fuqi i French Open, nëse arrin të kalojë me sukses 5 raundet e para në gjysmëfinalet e turneut parizien do të ketë përballë, mbretin e fushave me dhë të kuq, spanjollin Nadal i cili këtë vit në Roland Garros do të synojë suksesin e tij të 10-të. Gjysmëfinalja tjetër nëse përmbushen të gjitha parashikimet dhe duke patur parasysh edhe tërheqjen e Roger Federer nga grand-slami francez do të jetë mes numrit 1 të Botës britanikut Andy Murray dhe zviceranit Stanislas Wawrinka.
Rruga e Djokovic për të bërë bis në Roland Garros do të nisë me sfidën e raundit të parë ndaj spanjollit Marcel Granollers Pujol, aktualisht i 79-ti në renditjen e Atp. Më të vështirë do ta ketë Nadal që do të sfidojë, francezin Benoit Paire i cili pozicionohet i 45-ti në Botë. Për Murray-in i cili do të kërkojë të thyejë një tabu për të triumfuar në një turne që nuk e ka fituar asnjëherë më parë, aventura do të nisë me sfidën ndaj rusit Andrei Kuznetsov. Ndërkohë Djokovic dhe Nadal që cilësohen edhe si dy favoritët e mëdhenj të këtij edicioni, në cerekfinale mund të sfidojnë respektivisht austriakun Dominic Thiem dhe kanadezin Milos Raonic.