Ambienti në Mançester nuk ka qenë aspak i qetë në kohën kur drejtohej nga Hoze Murinjo. Trajneri kishte zënkat e tij me futbollistët e skuadrës, por edhe lojtarët me njëri-tjetrin kishin konflikte. Një prej këtyre e rrëfen edhe ish-mbrojtësi i “Djajve të Kuq”, Markos Roho. Argjentinasi tashmë është pjesë e Estudiantes, ndërsa kujton një moment kur u përplas me Ibrahimoviç.
Mbrojtësi thekson se gjithçka nisi nga një pasim i munguar i tij drejt Ibrës, ndërsa ky i fundit i kishte kërkuar llogari. Ajo që acaroi gjendjen ishin fjalët e argjentinasit drejt sulmuesit, pasi e ofendoi duke i thënë “hundë derr”.
“E dija që ai donte t’i pasoja të gjitha topat, por gjatë një momenti në ndeshje e pashë që ai kërkonte topin. Por, unë vendosa t’ia pasoja Pogbas. Më pas ai filloi të ulërinte duke ngritur duart duke më thënë fjalë në anglisht dhe spanjisht. I thashë: Çfarë ke “hundë derr”? Pusho. E dija që ai do kapej me mua në dhomat e zhveshjes. Do më vriste, kështu që e vetmja gjë që më ngelej ishte të përballesha.
Kur ai hyri në dhomat e zhveshjes, i thashë menjëherë të mbyllte gojën dhe të mos ulërinte. Filluam të ofendonim njëri-tjetrin dhe të gjithë shokët e skuadrës po na shihnin. Ndërkohë, në mes ishte Murinjo që po mundohej të na qetësonte”, përfundoi Roho.