Teheran, 14 prill – Presidenti iranian, Hasan Rohani e ka përshkruar vendimin e Teheranit zyrtar për pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind si një “përgjigje ndaj së keqes suaj”, pas sulmit kibernetik në centralin bërthamor Natanc, duke e lidhur incidentin me negociatat aktuale në Vjenë për marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore.
Izraeli dyshohet për sulmin ndaj centralit bërthamor iranian në Natanc fundjavën e kaluar, njoftuan mediat amerikane.
Duke iu drejtuar qeverisë, Rohani theksoi që centrifugat e brezit të parë të dëmtuara IR-1 në Natanc do të zëvendësohen me centrifuga të përparuara IR-6, të cilat pasurojnë uranium shumë më shpejt.
“Pasurimi prej 60 për qind është një përgjigje ndaj dashakeqësisë tuaj. Ju deshët t’i hiqni të gjitha argumentet nga duart tona gjatë bisedave,” theksoi Rohani.
Centrifugat IR-6 pasurojnë uraniumin shumë më shpejt sesa centrifugat e gjeneratës së parë IR-1. Irani dje publikoi se do të pasurojë uraniumin në nivelin më të lartë deri më tani në përgjigje të sulmit ndaj Natanc fundjavën e kaluar.