Presidenti i Iranit, Hasan Rohani sot deklaroi se Arabia Saudite nuk do të kishte mundur ta vrasë Xhamal Kashogin në Konsullatën në Stamboll pa pasur mbështetje nga SHBA-ja.
“Mendoj se pa mbështetjen amerikane ky vend (Arabia Saudite) nuk do të kishte mundur të kryejë krim të tillë”, theksoi Rohani.
Por, ai nuk ofroi asnjë dëshmi për pretendimin e tillë.
Rohani sistemin saudit e quajti “sundim fisnor”, ku individë të caktuar kanë mbrojtje dhe mbështetje prej njerëzve në pushtet, kështu që asnjë gjykatë nuk do të ndërmarrë masa kundër tyre.
Gazetari saudit dhe korrespondent i “Uashington Post” 59 vjeçari Kashogi u zhduk më 2 tetor, ndërsa herën e fundit është parë duke hyrë në Konsullatën e përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll. Pas përgënjeshtrimit disa ditorë Riadi zyrtar të premten pranoi se Kashogi është vrarë në Konsullatë gjatë një “rrahje dhe zënke” të paplanifikuar.