Messi të ndryshon jetën. Në kuptimin e parë të fjalës. Nuk flitet vetëm për futboll, ku, në mënyrë të pashmangshme, skuadra që e ka në ekip është favorite për të fituar. Flitet për jetën e përditshme. Këtë e dëshmon Ronaldinho, ose më mirë, sozia e tij, jeta e të cilit ka ndryshuar plotësisht pas kontaktit që ka pasur në 2014-ën me argjentinasin.
Atë ditë, me rastin e Botërorit brazilian, disa tifozë argjentinas janë futur në fushë për t’i puthur këmbët Pleshtit, si të ishte një hyjni. Megjithatë, takimi me numrin 10 ka qenë një mrekulli e vërtetë për një djalosh brazilian.
“Jeta ime ka ndryshuar. Falë Messi-t kam arritur të blej një shtëpi. Më kanë telefonuar për filma, evenimente, shumë gjëra”. Këto kanë qenë fjalët e thëna për “Ole” nga braziliani Robson, fotokopja e Ronaldinho-s.
Origjina e kësaj çështje është në Botërorin e 2014-ës, kur Robson, ka arritur të futet në stadiumin Independencia gjatë një seance stërvitore të Argjentinës. Për shkak se të gjitha aparatet fotografike ishin të drejtuara nga Leo, mes fotografive është shfaqur edhe fytyra e brazilianit të panjohur.
Dhe, për shkak të ngjashmërisë së madhe me Dinho-n, telefoni i tij ka filluar të bjerë pa pushim. Nga ajo ditë, Robson ka marrë shumë oferta për punë, aq sa ka arritur të transferohet në Belo Horizonte, qyteti ku Ronaldinho konsiderohet një idhull.
“Kam pasur shumë punë dhe falë kësaj jeta ime ka filluar të përmirësohet”. Deri në atë pikë sa llogaria e tij në Instagram quhet robson_sosia_oficial_r10. Me pak fjalë, një profesion i vërtetë. Dhe të mendosh se gjithçka ka lindur nga një ide e thjeshtë në nder të heroit të tij, që nuk është Dinho, por Messi.
“Messi përfaqëson shumë për mua. Nuk jam Ronaldinho, jam thjesht Robson. Messi për mua është diçka e pashpjegueshme”. E vështirë të imagjinohet një brazilian që mund ta dojë kaq shumë një argjentinas. Lotët e derdhur gjatë intervistës, gjithsesi, tregojnë se është më se e mundur.