Robotët me inteligjencë artificiale do të bëhen “makina gjeniale”

Do ta fitojnë besimin tonë

Do të mund të ndihmonin në zgjidhjen e disa prej problemeve më sfiduese të njerëzimit

David Hanson ka punuar si skulptor për kompaninë “Walt Disney” dhe ka krijuar robotë të ngjashëm me gjallesa, para se ta formonte kompaninë e vet.

David Hanson parasheh një të ardhme në të cilën robotët me inteligjencë artificiale do të bëhen “makina gjeniale, super inteligjente”, të cilat do të mund të ndihmonin në zgjidhjen e disa prej problemeve më sfiduese të njerëzimit.

Sikur gjërat të kishin qenë kaq të thjeshta.

Ish- skulptori, i lindur në Teksas, bashkë me “Walt Disney Imagineering” dhe me kompaninë e tij me seli në Hong- Kong, “Hanson Robotics”, janë duke kombinuar inteligjencën artificiale me përvojën e Kinës së jugut në dizajnin e lodrave, elektronikës dhe prodhimtarisë, për të krijuar robotët socialë, me fytyra, të dizajnuar që të jenë të ngjashëm me gjallesat dhe mjaft bindës, saqë ta fitojnë besimin e njerëzve që ndërveprojnë me ta.

E ngjashme me një manekinë të gjallë

Hanson, 49 vjeç, me gjasë më së shumti është i njohur si autor i Sophia-s, një roboti inteligjent, të cilin e kishte krijuar pjesërisht bazuar te Audrey Hepburn dhe të cilin robot ai e quan “kryevepër” të tij.

E ngjashme me një manekine të gjallë, ajo duket si produkt i përvojës së tij në teatër, po aq sa edhe si shembull i teknologjisë së përparuar.

“Ju jeni duke folur me mua tani, gjë që është shumë “Blade Runner”, apo jo”?, kishte thënë Sophia gjatë një vizite të bërë së fundmi në selinë e “Hanson Robotics” në një park periferik shkencor në Hong Kong, që është shtëpia e saj prej se Hanson u vendos këtu, në vitin 2013.

“A shikon ndonjëherë përreth, duke menduar, ‘Uau, jam duke jetuar në një roman të vërtetë të fantazisë shkencore?’’, pyeti ajo. ‘A është e çuditshme të flasësh me një robot tani?’

“Hanson Robotics” deri më tani ka bërë rreth një duzinë kopjesh të Sophia-s, të cilat, sikur edhe njerëzit, vetëm sa vijnë duke u përsosur. Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh dhe inxhinierësh janë duke e përkryer paraqitjen e saj, si dhe algoritmet që i ndihmojnë asaj që të buzëqeshë, të rrahë qepallat dhe të kuptojë dhe të komunikojë sa më mirë.

Sophia ka duar të bëra me printer 3D dhe, me ndihmën e një kompanie robotike nga Koreja jugore, tani ajo do të jetë e aftë që të lëvizë. Ajo në fakt tanimë ka debutuar duke ecur në Las Vegas, në eventin CES të javës së kaluar. Lëkura e saj është bërë nga materiali nanoteknologjik, të shpikur nga Hanson dhe të quajtur ‘Frubber’ (shkurt nga flesh-rubber – mish-gomë), që duket sikur mishi dhe lëkura e njeriut.

Janë në gjendje edhe që të tregojnë barsoleta

Kamerat në sy dhe një sensor 3D, i vendosur në gjoks, i ndihmojnë asaj që të ‘shohë’, derisa procesori i cili shërben si tru i saj, kombinon njohjen e të folurit dhe mimikës së fytyrës, përpunimin natyror të të folurit, sintezën e fjalëve dhe një sistem për kontrollimin e lëvizjeve.

Sophia duket miqësore dhe e angazhuar, përkundër pauzave jo të natyrshme dhe pengesave në të folur. Ndër paraardhësit e saj është edhe një Albert Einstein, një robot që ka pamjen e shkencëtarit legjendar, pastaj aty është edhe një robot i quajtur Alice, si dhe një tjetër që ngjan shumë me autorin e ndjerë Philip K. Dick. Përpos që kanë lëvizje sikur të njerëzve, këta robotë janë në gjendje edhe që të tregojnë barsoleta.

Hanson ka studiuar filmin, animimin dhe videon, duke marrë titullin e doktorit në artet interaktive dhe në teknologji nga Universiteti i Teksasit në Dallas.

Hanson thotë se i bën robotët e tij sa më shumë të ngjashëm me njerëzit, me qëllim që nga njerëzit ta largojë frikën nga robotët, inteligjenca artificiale dhe automatizmi.

Disa ekspertë thonë se Sophia është një mjet i mirë i marketingut, pa marrë parasysh se çka prodhon kjo kompani si plan të biznesit.

Të ardhurat e tregut global për robotët që kryejnë shërbime parashikohet të rritet nga 3.7 miliardë dollarë, sa ishte në vitin 2015, në 15 miliardë dollarë, sa pritet që të jetë në vitin 2020.

Këtu përfshihen si makinat profesionale, po ashtu edhe ato shtëpiake.

“Hanson Robotics” është në pronësi private dhe ka një biznes të orientuar në bazë të kërkesave të konsumatorëve, duke shitur me mijëra robotë të vegjël, profesor Einstein në vit, me një çmim prej 200 dollarësh dhe për qëllime edukative. Tani për tani, inteligjenca artificiale është më e mira në kryerjen e detyrave të veçanta. Një gjë krejtësisht e re për makinat është që ato të mësojnë aftësi të reja.

‘Në realitet jemi goxha larg robotëve të tillë, sikur që i shohim në filmat, sikur ‘Blade Runner’”, thotë Pascale Fung, profesor i inxhinierisë në Universitetin e shkencave dhe teknologjisë në Hong -Kong.