Hulumtuesit e kanë krijuar një lloj të ri roboti të vogël të printuar në 3D i cili lëviz duke e shfrytëzuar vibrimin nga motorët piezoelektrik, burimet e ultratingullit apo edhe altoparlantët e vegjël.
Tufa të këtyre “mikro-botëve” mund të punojnë së bashku për t’i ndier ndryshimet mjedisore, për të lëvizur materiale – ose ndoshta një ditë të riparojnë lëndime brenda trupit të njeriut.
Robotët prototipë reagojnë ndaj frekuencave të ndryshme të vibrimit në varësi të konfigurimeve të tyre, duke u mundësuar hulumtuesve t’i kontrollojnë botët individualë duke e rregulluar vibrimin, transmeton Koha Ditore.
Përafërsisht dy milimetra të gjatë – rreth madhësisë së milingonës më të vogël në botë – botët mund ta mbulojnë katër herë gjatësinë e tyre brenda një sekonde me gjithë kufizimet fizike të madhësisë së tyre të vogël.
“Po punojmë që ta bëjmë këtë teknologji të fuqishme, dhe planifikojmë shumë aplikime potenciale “, tha Azadeh Ansari, asistente profesori në Shkollën e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Institutin e Teknologjisë të Georgisë. “Jemi duke punuar në kryqëzimin e mekanikës, elektronikës, biologjisë dhe fizikës. Është një zonë shumë e pasur dhe ka shumë hapësirë për koncepte shumëdisiplinore”.
Një punim që i përshkruan mikrobotët është pranuar për publikim në Journal of Micromechanics and Microengineering.
Hulumtimi u mbështet nga një grant nga Instituti i Teknologjisë së Gjeorgjisë për Elektronikë dhe Nanoteknologji. Përveç Ansarit, ekipi hulumtues e përfshin profesorin e asociuar në shkollën e inxhinierisë mekanike George W. Woodruff, Jun Ueda, si dhe studentët të e diplomuar DeaGyu Kim dhe Zhijian (Chris) Hao.
Mikro-botët përbëhen nga një motor piezoelektrik i ngjitur në një trup polimeri që është shtypur në 3D duke përdorur litografi polimerizimi dy-fotonike (TPP). Motori gjeneron vibrime dhe furnizohet nga jashtë, sepse nuk ka bateri mjaft të vogël për t’u futur në bot.
Vibrimet mund të vijnë edhe nga një dridhës piezoelektrik nën sipërfaqe në të cilën lëvizin robotët, nga një burim ultratingulli/sonar, ose edhe nga një altoparlant i vogël akustik.