Referuar raportimeve nga Brazili, Robinjos mund t’i ofrohet shansi për tu rikthyer te Santosh, pavarësisht dënimit të tij me 9 vite burg, për akuzën e përdhunimit në grup ndaj një vajze shqiptare, gjatë kohës kur ylli brazilian luante në Seria A me skuadrën e Milanit. Ish-ylli i Milanit dhe Mançester Sitit u shpall fajtor nga gjykata italiane, bashkë me pesë bashkëpunëtorët e tij, për ngacmim seksual dhe përdhunim në grup të shqiptares në një klub të Milanos në vitin 2013. “Gluboesporte” raporton se presidenti i Santosh, Hose Karlos Peres është i interesuar të afrojë Robinjon sërish në klubin ku ai nisi karrierën e tij.
Por më parë ai do të duhet të përmirësojë marrëdhënien e tij me sulmuesin, me qëllim që të sigurojë transferimin, pasi më parë ka mërzitur ish-futbollistin e përfaqësueses së Brazilit me komente dhe deklarata. Peres kishte deklaruar më parë se Robinjo nuk do të mund të kthehej më te Santosh, pasi do të dëmtonte imazhin e klubit. Por më pas ai e zbuti deklaratën e tij, duke pretenduar se transferimi mund të ndodhte nëse futbollisti do të provonte pafajësinë e tij. Së fundmi Peres tentoi të organizojë një takim me Robinjon nëpërmjet një miku të përbashkët dhe iu kërkua që të kontaktonte me menaxherin dhe avokatin e lojtarit, Marisa Alija, i cili gjithashtu ishte i irrituar me komentet. Futbollisti 33-vjeçar refuzoi së fundmi rinovimin me skuadrën e Atletiko Mineiro, me kontratën aktuale që skadon më datë 31 dhjetor.