Në një incident të planifikuar, Rojasi – një portier shumë i respektuar që në atë kohë luante në Brazil për Sao Paulon, kishte përdorur një brisk të fshehur në dorezat e tij për të prerë pak kokën në momentin kur ndodhej përtokë. Ishte veprimi më makiavelist i mundshëm për të siguruar eliminimin e Brazilit, por askush në Brazil nuk kishte shpresë ta vërtetonte këtë gjë. Deri kur u gjetën provat
Është një prej skandaleve më të mëdhenj të Kupës së Botës, një histori mashtrimi e pacipë dhe hileje të paturp që, po të mos kish qenë për aftësitë fotografuese të vetëm një njeriu, rekordi i Brazilit si ekipi i vetëm që ka marrë pjesë në të gjithë Kupat e Botës, do të ishte vënë seriozisht në rrezik. Qoftë Brazilin, qoftë Kilin, vetëm fitorja në ndeshjen e fundit kualifikuese në Stadiumin Marakana do t’i çonte në Kupën e Botës të vitit 1990. Kur mbeteshin edhe 20 minuta lojë, Brazili po fitonte 1-0 dhe dukej qartë që kishte shanse të mëdha të ishte ai i kualifikuari, sidomos duke patur parasysh që edhe barazimi i dërgonte në Botëror. Por papritur, bota e tyre u shemb.
Në zonën e rreptësisë së Kilit, portieri Roberto Rojas u rrëzua përtokë, në dukje i goditur nga një fishekzjarr që vazhdonte të digjej dhe nxirrte tym vetëm pak centimetra larg tij. Teksa futbollistët legjendarë të Brazilit – Bebeto, Dunga dhe Careka rrinin e vështronin, lojtarët e Kilit nxituan tek Rojas dhe nisën të thërrasin me urgjencë mjekun. Me gjakun që i rridhte nga koka dhe mbi fanellë, Rojas u nxor me shpejtësi jashtë fushe dhe, në mesin e fërshëllimave të stadiumit Marakana, zyrtarët e ndalën ndeshjen. Duke qenë se fishekzjarri kishte ardhur nga pjesa e tifozëve brazilianë në stadium, superfuqia më e madhe e futbollit përballej me një eliminim të paprecedentë. Një agjent futbolli, Paulo Teixeira po punonte atë ditë si fotograf pranë fushës së lojës.
“Sado e pabesueshme që duket, por asnjë prej kamerave televizive që ndodheshin në stadium nuk e filmuan fishekzjarrin që fluturoi dhe që supozohet se goditi portierin”, tha ai. “Ne, fotografët, po qëndronim përgjatë vijës anësore dhe pamë fishekzjarrin që të vinte. U habita kur pashë Rojasin që të shembej përtokë dhe me syrin mbushur me gjak, pasi kisha parë që fishekzjarri kishte rënë një metër larg tij”, tha Teixeira.
Pa filmime dhe pa prova fotografike, Brazili ishte në telash të madh, por ata nuk e dinin që ishin në anën e gabuar të një mashtrimi të madh. Në një incident të planifikuar, Rojasi – një portier shumë i respektuar që në atë kohë luante në Brazil për Sao Paulon, kishte përdorur një brisk të fshehur në dorezat e tij për të prerë pak kokën në momentin kur ndodhej përtokë. Ishte veprimi më makiavelist i mundshëm për të siguruar eliminimin e Brazilit, por askush në Brazil nuk kishte shpresë ta vërtetonte këtë gjë. Deri kur u gjetën provat.
“Sigurisht që sot me gjithë kamerat dhe telefonat celularë në qarkullim do të ishte e pamundur”, thotë fotografi. “Unë nuk arrita ta fotografoj ashtu si shumica e fotografëve të tjerë”, kujton Texeira. “Por ishte një djalë përbri meje, Ricardo Alfieri, një shok i mirë – dhe e pyeta: “Ricardo, a e kape fishekzjarrin?’ Ai më tha: Sigurisht, 4 apo pesë poza”. Texeira kuptoi menjëherë rëndësinë e madhe që do të kishin ato fotografi, por në një kohë kur kamerat i kapnin fotografitë në filma, dhe jo digjitalisht, kishte shumë pengesa. “Ricardo kishte një problem. Ai ishte i paguar nga një revistë japoneze dhe i duhej të dërgonte filmat në Tokio – të papërpunuar – mëngjesin tjetër, dhe japonezët i besonin vetëm laboratorit të tyre”, kujton Texeira për shokun e tij fotograf, që tani punon për Conmebol.
“I thashë: Ricardo, dëgjo, ti je i vetmi që ke provat se Rojas po bën me hile. Nuk të lë të dalësh nga Brazili pa i larë ata filma”. Menjëherë pasi loja ishte ndërprerë, Teixeira kishte parë i tmerruar teksa një komentator kilen i kishte thënë për një stacion radiofonik se si kishte parë që fishekzjarri kishte goditur Rojasin, duke i ngulur kështu thikën pas shpine Brazilit. “Gjeta gazetarin radiofonik dhe i thashë që Ricardo kishte fotot. Ai e mori menjëherë Ricardon të fliste direkt në transmetim dhe e gjithë atmosfera ndryshoi”, kujton Teixeira. “Dhjetë minuta më vonë, presidenti i futbollit brazilian u fut në dhomat e zhveshjes, ku ndodheshim ne. Një ngjyrë i ikte e një i vinte. ‘Kush i ka filmat’? pyeti. ‘I kam unë’, i thashë. Në atë moment unë isha aseti më i çmuar mbi faqen e Tokës dhe presidenti brazilian i futbollit më pyeste gjithë kohës nëse isha i sigurt. Por unë e dija që mund të besoja tek fjala e Alfierit, sepse ai ishte më i miri”. Dhe kështu nisi një përpjekje e jashtëzakonshme për të parë nëse fotografitë e Alfierit do të vërtetonin se Rojasi kishte bërë me hile. “U deshën katër orë të ngrohnim dhe përgatisnim laboratorin. Zonja që punonte aty ishte e zemëruar – e kishim nxjerrë me zor një ditë të diele në darkë”, kujton Teixeira.
Ndërkohë që përgatitej laboratori, po kështu nisi gara se cila agjenci do të nxirrte fotografitë. Me kërkesën e Teixeiras për pesë mijë dollarë, rrjeti i famshëm Globo ra dakord të paguante. “Kur dolën fotografitë, katër prej tyre tregonin shumë qartë – duke filluar me fishekzjarrin në ajër dhe më pas rënien përtokë një metër larg Rojasit. Edhe presidenti i futbollit brazilian u çlirua”, thotë Teixeira. Të hënën në mbrëmje, Globo nxori scoop-in, duke treguar foto të aktrimit të Rojasit në një program të quajtur “Jornal Nacional”. Një kopje të tyre presidenti i federatës së Brazilit ia dërgoi FIFA-s, pasi fluturoi drejt zyrave qendrore të saj në Zvicër. E kënaqur prej provave dokumentare, FIFA ia dha Brazilit ndeshjen 2-0 në tavolinë, një fitore që e çoi në Botërorin e 1990-ës.
FIFA vendosi që Kili kishte ther rregullat duke lënë ndeshjen para përfundimit dhe më pas nxori gjykimin final, duke e pezulluar Kilin nga Kupa e Botës 1994. Organi botëror i futbollit e ndaloi përgjithmonë Rojasin që të luante futboll, ashtu sikurse dhe doktorin e ekipit kilen.