Robert C. O’Brien emërohet në vend të John Boltonit

Presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar Robert O’Brien si Këshilltar për Siguri Kombëtare të mërkurën, tetë ditë pas largimit të John Boltonit.

O’Brien, zyrtar i lartë i Zyrës së të Dërguarit Special Presidencial për Çështje të Pengjeve, do të bëhet këshilltari i katërt i sigurisë për Donald Trumpin, pasi para Boltonit, nga kjo pozitë ishin larguar Michael Flynn dhe H.R. McMaster.

Puna e tij së fundmi ka qenë lidhur me çështjet e pengjeve në SHBA. Ai ishte caktuar nga Trumpi për të ndihmuar në lirimin e reperit A$AP Rocky, që ishte ndaluar në Suedi nën akuzat për vrasje. Reperi u shpall fajtor, por u lirua nga burgimi.

O’Brien ishte po ashtu këshilltar i jashtëm i Mitt Romneyt gjatë garës presidenciale në vitin 2012.

O’Brien kishte vizituar Zyrën Ovale në mars, kur Trumpi kishte përshëndetur lirimin e një qytetari amerikan që mbahej në Jemen. Presidenti e kishte vlerësuar O’Brienin si negociuesin më të mirë.

“Kam punuar gjatë dhe shumë me Robertin. Ai do të bëjë punë të madhe”, ka thënë Trumpi në përzgjedhjen e O’Brienit, raporton “cnbc”, transmeton Koha.net.

Këshilltari për Siguri Kombëtare nuk ka nevojë për konfirmim nga Senati. Pozicioni vjen me staf prej qindra specialistësh nga Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe Agjencitë e Inteligjencës. Shtëpia e Bardhë, Pentagoni e Departamenti i Shtetit nuk kanë komentuar përzgjedhjen e presidentit.

Boltoni, që ishte emëruar këshilltar i sigurisë kombëtare në mars të 2018-s, ishte i njohur për qasjen e tij të ashpër në politikën e jashtme. Trumpi në njoftimin e 10 shtatorit deklaroi se kishte mospajtime të shumta me Boltonin dhe se për këtë e ka shkarkuar. Në anën tjetër, Bolton kishte thënë se është dorëhequr.