Ish-mbrojtësi i Holandës, Khalid Bularuzh, beson se Arjen Roben ka ende shumë për të ofruar si futbollist, ndaj shpreson që bashkatdhetari i tij të vazhdojë të luajë për Bajern Munihun edhe për disa vite të tjera. Roben është shndërruar në një figurë kyçe për bavarezët që kur u bashkua me ta, ardhur nga Real Madridi në vitin 2009, por koha e tij në klubin kampion të Gjermanisë mund të përfundojë në të ardhmen jo shumë të largët, pasi 34-vjeçarit i kanë mbetur vetëm katër muaj në kontratën e tanishme. Mbetet e paqartë tani për tani nëse Roben do të rinovojë apo jo, por Bularuzh beson se sulmuesi me përvojë është më i miri duke qëndruar në Bundesliga, për sa kohë që trupi i tij e lejon këtë. “Unë nuk mendoj se ai duhet të kthehet përsëri në Holandë, – tha Bularuzh për “Goal”. – Roben mund të kthehet përfundimisht, por gjithashtu varet nga familja e tij. Ai ka luajtur në nivele të larta për kaq shumë vite. Në Angli ishte në nivelin më të lartë, në Spanjë dhe Gjermani, po ashtu. Por, vjen një ditë kur trupi juaj nuk mund të vazhdojë, jeni i lodhur. Edhe nëse doni të vazhdoni, trupi juaj do të flasë me ju dhe do të thotë: në rregull, nuk mund ta përballoj më. Nëse ai mund të vazhdojë, atëherë unë do ta këshilloja të qëndronte te Bajerni, sepse është një nga klubet më të mira në botë. Ai tashmë ka një reputacion të madh në Gjermani, ka qenë atje për kaq shumë vite, prandaj pse jo. Unë mendoj se ndjehet si në shtëpinë e tij, kështu që pse të ndryshojë klubin, kur është i kënaqur”.
Suksesi i Roben te Bayern Munich arriti kulmin kur fitoi Ligën e Kampionëve dhe shënoi një gol fitues të minutës së fundit në vitin 2013. Kjo erdhi vetëm një vit pasi ai humbi një penallti në finalen e Ligës së Kampioneve (2012), e cila pa ish-klubin e tij, Chelsea, të fitojë Champions-in e parë.