Arjen Robben vendosi t’i japë fund karrierës së tij në futboll të enjten e kaluar. Holandezi vendosi të pensionohej pas 19 vjetësh karrierë, derisa pa dyshim se do mbahet mend për lëvizjen e tij të famshme nga krahu. Mbrojtësit e dinin se çfarë veprimi do të bënte Robbeni, por prapë nuk mund ta ndalnin dot, shkruan sot, gazeta “Zëri” , përcjellë gazeta Koha.
Ka diçka të bukur në gjërat e papritura, por ndonjëherë edhe më shumë në ato të pritshmet. Të gjithë e dinin se çfarë do të bënte Arjen Robbeni, por prapëseprapë nuk mund të bënin asgjë për ta ndalur. Ai do ta merrte topin në krahun e djathtë, do të shtirej sikur shkonte në fundore, pastaj do të hynte brenda zonës dhe do të shënonte, pastaj do ta bënte përsëri. E vërtetë, kishte disa variante të ndryshme. Ndonjëherë shënonte në shtyllën e parë dhe ndonjëherë do të bënte disa hapa më shumë drejt zonës së penalltisë ose jashtë saj dhe të shënonte në shtyllën e dytë. Ndonjëherë godiste ulët dhe ndonjëherë godiste lart. Mund të duket e thjeshtë, por nuk ishte. Këtu qëndron poenta: ishte kënaqësi ta shohësh duke e bërë atë vazhdimisht.
Të enjten e kaluar holandezi, i cili u largua nga Bayern Munichu në fund të edicionit, vendosi të pensionohet nga futbolli në moshën 35-vjeçare pas 19 vjetësh karrierë. Në deklaratën e tij ai tha se lëndimet e kishin lënë gjurmën e vet dhe se nuk kishte më kuptim që të vazhdonte. “Dashuria ime për lojën dhe bindja se unë ende mund ta pushtoj botën ishte kundër realitetit, nuk jam më një i ri 16-vjeçar i cili nuk e ka idenë se çfarë mund të bëjnë lëndimet”, deklaroi Robben.
Ai shtoi se “ka ardhur koha që të kalojë më shumë kohë me gruan dhe me fëmijët e tij e t’i shijojë të mirat që e presin në jetë” dhe kjo gjë ka kuptim.
Robben ka fituar Ligën e Kampionëve, ligën holandeze, ligën angleze, ligën spanjolle dhe jo më pak se 8 tituj të Bundesligës gjermane. Ai e arriti finalen e Kupës së Botës më 2010-n dhe përfundoi në vendin e tretë katër vjet më vonë. Ai ka fituar 16 finale të kupave dhe disa çmime të ndryshme individuale. Nuk kishte se çfarë të arrinte më shumë, sidomos me lëndimet që kishin filluar ta lodhnin. Karriera e tij, pavarësisht të gjitha titujve, nuk ishte edhe e thjeshtë. Pasi i ishte bashkuar Chelseat nga PSV Eindhoveni ai kishte një shenjë të kancerit kur mjekët thanë se i kishin gjetur një masë në njërin prej testikujve të tij dhe vendosi të operohej. Atij i është dhënë drita jeshile më pas, por pas dy titujve në tre vjet në Premierligë ai u largua drejt Real Madridit. Në Spanjë i pati dy edicione për ta treguar kualitetin e pamohuar, por sapo arriti Florentino Perez dhe nënshkroi me Cristiano Ronaldon e Kakan në verën e vitit 2009 kohës së tij i kishte ardhur fundi.
Robben i ishte bashkuar Bayern Munichut atë verë dhe ky doli të jetë klubi i tij i fundit. Në shumë mënyra ai do të mbahet mend si lojtar i Bayernit. Përveç 8 titujve në Bundesligë, ai shënoi golin e fitores në minutën e 89-të ndaj Borussia Dortmundit në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2013 në “Wembley”.
Ai ishte goli më i rëndësishëm dhe në mënyrë qesharake nuk ishte shënuar duke çarë nga krahu dhe duke lëshuar të majtën e tij, por nga qendra, duke mposhtur dy mbrojtës nga një top i lirë, duke i bërë dy prekje dhe duke shënuar me atë që mund të përshkruhet si një goditje e lehtë. Pas vërshëllimës së fundit ai ishte në lot dhe kur u pyet pse, ai u përgjigj: “Po, ne kemi qenë në dy finale në tre vjetët e fundit dhe i humbëm të dyja dhe në fund askush nuk dëshiron të jetë humbës”.
Ai nuk do të mbahet në mend si humbës, larg asaj, edhe pse ai shpeshherë ishte akuzuar si simulues, me të drejtë. Në një fazë të karrierës së tij ai ishte njohur në Gjermani si “Schwalben-Konig” (Mbreti i simulimeve) dhe ishte tallur për një gjë të tillë ndaj Meksikës në Kupën e Botës të vitit 2014.
Sidoqoftë, në përgjithësi rrëzimet e tepruara në zonën e rreptësisë u bënë më të pakta dhe ai do të kujtohet me dashuri nga shumica. Të enjten ish-bashkëlojtarët e tij e shprehën adhurimin për holandezin dhe pikëllimin që ai nuk do të luajë më futboll.
David Alaba shkroi në rrjetin social “Twitter” se ai ishte krenar që luajti me Robbenin. “Loja jote ishte diçka tjetër, karakteri yt më shumë se i veçantë”, shkroi ai. “Lamtumirë për një altet të veçantë”, shkroi Philip Lahm.
Mirënjohjet e Lahmit dhe të Alabas drejt Robbenit e tregojnë se çfarë lojtari ishte ai, por jo vetëm bashkëlojtarët dhe kundërshtarët ishin në gjendje t’i shijonin aftësitë e tij, ishin edhe tifozët gjithashtu. “Dhe kjo është pse unë i thashë djalit tim të ulet dhe të shikojë pesë minuta nga hyrja e Arjen Robbenit nga krahu dhe shënimi i golit kur kërkon inspirim për ndeshjet U-10 para videove të preferuara të tij të Leo Messit ose të Cristiano Ronaldos”, shprehet gazetari i “The Guardian”, Marcus Christenson.
“Ai i rrotullon sytë, por pastaj ulemi dhe e shikojmë Robbenin duke e bërë gjënë e tij dhe shpejt ne themi: ‘Ua, a e pe ketë?’ dhe ‘Si shënoi ai nga aty?’, para se të ulemi në heshtje dhe të shikojmë fluturimin e bukur të topit pasi largohet nga këmba e tij e majtë. Dhe ne qeshim. Dhe këtë gjë e bëri Robbeni: ai i bëri njerëzit të qeshin. S’mund të gjejmë lëvdatë më të madhe se kjo”, shton ai.